Ish-ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis ka publikuar së fundmi një opinion ku flet për marrëdhëniet e vendit të saj me Turqinë. Duke vlerësuar ndërlikimet që sjell për Greqinë memorandumi i Turqisë me qeverinë legale të Libisë, Bakojanis sugjeron forcimin e aleancave dhe konsiderimin e memorandumit si të paligjshëm, por jo nul për nga efekti praktik.
“Mbetem një mbështetëse e vendosur e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit greko-turk…por një zgjidhje përmes marrëveshjes bilaterale duket e paarritshme…Ne duhet ta rinisim dialogun duke firmosur një marrëveshje arbitrazhi që do të hapë rrugën drejt Gjykatës Ndërkombëtare. Duke e firmosur atë, Turqia do të njohë de facto juridiksionin e Gjykatës, pavarësisht se nuk ka firmosur Konventën e OKB-së për ligjin e detit, apo Konventën e vitit 1958 për shelfin kontinental”, shkruan ndër të tjera Bakojanis.
Imperativi i një marrëveshjeje me Turqinë, sipas saj detyron kalimin në negociata imediate me të gjitha vendet kufitare mes të cilave bën pjesë edhe Shqipëria. Në këto kushte Bakojanis e sheh si të panegociueshme deklarimin nga Greqia të 12 miljeve detare det territorial konform ligjit ndërkombëtar të detit.
“Për të përballur memorandumin mes Turqisë dhe Libisë, që shkel ligjin ndërkombëtar, por kryesisht për të zgjidhur çështjet e tjera të delimitimit në Mesdheun Qendror dhe atë Lindor ne duhet të procedojmë me delimitimin e zonave detare me Shqipërinë, Italinë dhe Egjiptin, sa më shpejt të jetë e mundur.
Pavarësisht zhvlerësimit nga Parlamenti shqiptar të marrëveshjes ekzemplare që arritëm në vitin 2009, Greqia ka të drejtën të zgjerojë ujërat e veta territoriale në 12 milje detare. Shtuar kësaj, Greqia duhet të rinisë negociatat mbi Zonat Ekskluzive Ekonomike me Italinë. Këto negociata janë shtyrë për shkak të reagimeve nga komuniteti i peshkatarëve italianë. Shkurt, ne duhet të përfundojmë negociatat e delimitimit me fqinjët tanë në perëndim dhe në jug. Kjo do të krijojë një precedent pozitiv edhe për negociatat me Turqinë”, shkruan ish-ministrja greke.
Komenti i saj është i njëjti me atë që ajo bëri menjëherë pas marrëveshjes së vitit 2009, duke parë te pakti me qeverinë Berisha një precedent pozitiv në raport me Turqinë. Në Shqipëri ajo marrëveshje u cilësua si tradhëti kombëtare, si humbje territoriale etj.