Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, për masën e sigurisë me burg ndaj Erzen Breçanit, Dedan Gjonit, Besmir Muratit dhe Bujar Ajetit.
Arrestimi i ish-drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, shefit të krimeve të komisariatit 6 në kryeqytet Dedan Gjoni dhe të tjerëve, erdhi pas zbërthimeve të aplikacionit Sky Ecc.
Bisedat në Sky Ecc çuan në zbulimin e një grupi kriminal, që rezulton se është përfshirë në trafik droge nga Amerika Latine në Europë, si dhe në ngjarje të ndryshme kriminale, që kanë ndodhur në Shqipëri, ku të përfshirë dyshohet se kanë qenë edhe policë dhe ish-zyrtarë policie. Grupi përbëhej nga 11 persona, ndërsa për disa prej tyre janë lëshuar urdhër-arreste.
Të arrestuar si pjesë e grupit kriminal janë ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, shefi i krimeve në Komisariatin 6 Dedan Gjoni, Bujar Gërmizi, emër i njohur i botës së krimit në qytetin e Kukësit.
Në kërkim u shpallën Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit, Albert Prenga, Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Bajram Grabova, Ndërsa, Gjykata e Posaçme ka vendosur “detyrim paraqitje” për Jonida Babametaj, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit. Arrestimi i Breçanit dhe Gjonit ndodhi pranë stadiumit Air Albania, teksa ata ishin nisur për të parë një ndeshje të Kombëtares së Shqipërisë. Breçani dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash.