Detaje të reja janë zbardhur për arrestimin e të shumëkërkuarit Ilir Paja, mbrëmjen e djeshme në zonën e Laprakës në Tiranë.
49-vjeçari u kap në një lokal të zonës nga njësia Fast dhe Operacionalja. Ai mbahej nën vëzhgim të rreptë për gati 3 muaj, pas informacioneve që ishin siguruar në rrugë operative se strehohej në zonën e Laprakës, tek të afërm të tij.
Gjatë kësaj kohe, Njësia Operacionale mbante në vëzhgim ambientet që Ilir Paja frekuentonte si dhe ishte vënë në përgjim për të vërtetuar nëse ishte i njëjti person ose jo.
Pikërisht mbajtja nën përgjim e njërit prej numrave telefonik që Paja përdorte, çoi edhe në zbulimin e vendeve ku ai qëndronte. 49-vjeçari përdorte dokumente të rregullta, ndërsa gjatë arrestimit i është sekuestruar dhe një shumë prej 5 mijë eurosh.
Pas 5 vitesh arrati, Ilir Paja ra kështu në prangat e policisë. 49-vjeçari i shumëkërkuar edhe nga drejtësia italiane është arrestuar mbrëmjen e kësaj të premte në zonën e Laprakës nga Njësia Speciale “Fast Albania”, në bashkëpunim me Interpol Tirana.
Ilir Paja, i njohur ndryshe edhe me nofkën “Ufo” ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person shumë i kërkuar nga autoritetet Italiane pasi Gjykata e Apelit Milano, e ka dënuar me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje të punonjësve të policisë, kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi.
Ai kishte mundur të arratisej nga Burgu i Peruxhias, duke përdorur si litarë disa çarçafë të lidhur së bashku, teksa vuante dënimin për dy vrasjet.
Paja gjithashtu ka qenë i dënuar me 16 vite burg për plagosjen e rëndë të një efektivi të njësisë operacionale të policisë me 6 mars të vitit 2008 në Tiranë, por kishte mundur ishte liruar me vendim të gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.
Ngjarja ndodhi në rrugën e Dibrës teksa në momentin e ndërhyrjes së policisë, në tentativë për t’u larguar, i kërkuari përplasi dhe plagosi rëndë efektivin e policisë Blendi Haxhimali.