Ka marrë një tjetër rrjedhë, ngjarja e rëndë e raportuar në Shkodër, ku një nënë, bashkë me 3 fëmijët e saj të mitur, prej 3 ditësh rezultojnë të humbur.
Raportohet se, njëri prej fëmijëve është gjetur nga një peshkatar i zonës në ujërat e lumit Drin, ndërkohë që, dyshohet se edhe dy fëmijët e tjerë, së bashku me nënën, shtetasen Alma Bushati Arrazi kanë humbur jetën.
Me marrjen e njoftimit, palombarët e forcave Renea kanë shkuar në Shkodër dhe kanë nisur kërkimet intensive për gjetjen e trupave të tre personave të tjerë.
Policia ndërkohë ka ndaluar bashkëshortin shtetasin Ergys Arrazi, i cili më përpara kishte deklaruar për policinë se ka humbur kontaktet me familjen e tij dhe se nuk e dinë ku janë prej tre ditësh.
Fëmija që u gjet nga peshkatari në mënyrë rastësore një ditë më parë dyshohet se ka shenjë dëmtimi në pjesën e fytyrës, ndërsa fëmijët e mitur janë dy vajza dhe një djalë të moshës 8, 6 dhe 4 vjeç.
NJOFTIMI I POLICISË SHKODËR:
“Shkodër, hetimet e thelluara zbardhin një rast të dhunës në familje, që shkaktoi vetëvrasje. Vihet në pranga 31-vjecari, për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare, si pasojë e dhunës.
9-vjeçarja është gjetur e pajetë, dyshohet e vetëmbytur në lumin Buna. Polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet pasi dyshohet se janë vetëmbytur dhe bashkëshortja dhe 2 fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit.
Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.
Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.
Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”. Grupi hetimor ka vijuar hetimet dhe shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për gjetjen e 39-vjeçares dhe 3 fëmijëve.
Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj.
Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijon intensivisht punën për gjetjen e 3 shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.”