Nëndetësja bërthamore amerikane, USS Georgia, mbërriti të hënën në Ngushticën e Hormuzit në Gjirin Persik, e shoqëruar nga dy anije luftarake amerikane.
Mbërritja e nëndetëses në zonë vjen në një moment tensionesh tepër të larta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, fajësoi Iranin për sulmin me raketa që iu bë ambasadës amerikane në Bagdad, të dielën.
Disa zyrtarë amerikanë kanë shprehur shqetësimin se Irani mund të përdorë përvjetorin e vrasjes së Gjeneralit Qasem Soleimani për të kryer sulme kundër Shteteve të Bashkuara.
Marina amerikane rrallëherë jep detaje mbi vendndodhjen e nëndetëseve të saj, por në njoftimin e së hënës specifikohej edhe fuqia luftarake e saj, me “154 predha Tomahawk”.