Shqipëria dhe Gjermania kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët ditën e sotme në Tiranë, e cila i hap rrugës njohjes reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve.
Lajmin e ka bërë të ditur ambasada gjermane në Tiranë, e cila njofton se marrëveshja është firmosur nga Sekretari Parlamentar i Shtetit pranë Ministrisë Federale për Zhvillimin Digjital dhe Infrastrukturën Oliver Luksic, MdB, dhe Ministrja për Energjinë dhe Infrastrukturën, Belinda Balluku.
Rregullat e reja hyjnë në fuqi më 1 qershor 2022, dhe vlen për shtetasit me rezidencë në Gjermani.
Zotëruesit e një lejeje drejtimi të kategorive A, A1, A2, B, BE, C, C1, C2, D, D1, D2 (motorr, veturë, kamion, autobuz), të lëshuara pas datës 24 janar 2017, mund të bëjnë konvertimin pa qenë nevoja e një provimi të ri.
Kjo marrëveshje do të krijojë mundësi për shqiptarët që të kenë një akses të sigurt ligjor në tregun e punës, për të cilin shpesh leja e drejtimit të automjeteve është kriter i rëndësishëm.