Ekonomi Nënshkruhet marrëveshja Shqipëri-Itali-Emiratet e Bashkuara për rrjetin e energjisë

Nënshkruhet marrëveshja Shqipëri-Itali-Emiratet e Bashkuara për rrjetin e energjisë

U nënshkrua sot në Emiratet e Bashkuara Arabe, marrëveshja e investimit për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri, ndërmjet, Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Republikës së Italisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.

Marrëveshja, e cila për palën shqiptare u nënshkrua nga Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, bashkon vendet në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme.

Më herët, gjatë fjalës së tij në Samit, Kryeministri tha se marrëveshja do të shërbejë për të rritur kapacitetin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon, mbështetur në prodhimin e saj me 100% energji të ripërtëritshme.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohamed bin Zayed, si dhe përfaqësues të qeverive të vendeve përkatëse.