Në Kosovë, gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 145 raste të reja me Covid-19, ndërkohë 9 qytetarë kanë humbur jetën.
Ministria e Shëndetësisë, në të dhënat e saj thotë se numri total i rasteve pozitive është 11.275, kurse deri tani për shkak të komplikacioneve shëndetësore kanë humbur jetën 390 qytetarë.
Përkundër numrit të rasteve të reja dhe viktimave nga Covid-19, listës së të shëruarve i janë shtuar edhe 144 pacientë duke e çuar numrin në total në 6961.
Kuvendi i Kosovës ditën e djeshme me 77 vota pro, 7 abstenime dhe asnjë kundër, miratoi ligjin për “Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19”.
Pas këtij hapi, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe iniciuesja falënderoi përfaqësuesit e partive politike për unitetin e treguar në hartimin dhe miratimin e projektligjit.
Mes tjerash, ky ligj krijon hapësirë domosdoshme juridike për autoritetet shtetërore të Republikës së Kosovës, me qëllim të luftimit dhe parandalimit të pandemisë, përmes kufizimeve të lehta dhe domosdoshme të lirive dhe të drejtave të njeriut, duke u bazuar në Kushtetutën e vendit.
Dispozitat ligjore parashikojnë ndëshkimin e personave fizikë dhe juridikë, të cilët nuk zbatojnë masat anti-covid.