Extra Nëse njerëzit kanë evoluar nga majmunët, atëherë pse këta të fundit ekzistojnë...

Nëse njerëzit kanë evoluar nga majmunët, atëherë pse këta të fundit ekzistojnë ende?

Në vitin 2017, komediani amerikan  Tim Alen shkroi në Tëitter një pyetje, që zbuloi se sa pak kupton ai mbi evolucionin. Dhe duket se është i vetmi. Postimi i tij mori gati 50.000 “Like” dhe 13.000 “retweet”.

Është e sigurt të supozohet se shumë njerëz që reagua ndaj postimit të Alen, donin të dinin gjithashtu përgjigjen e pyetjes që ai shtroi: ”Nëse kemi evoluar vërtet nga majmunët, pse ka ende sot majmunë?”.

“Përgjigja e shkurtër është se ne nuk kemi evoluar nga asnjë prej kafshëve që janë sot të gjalla”, thotë Zak Kofran, antropolog në Kolegjin Vasar. Kjo do të thotë, se njerëzit nuk kanë evoluar nga gorillat që shohim në kopshti zoologjik, apo shimpanzetë me të cilat bëjmë foto në një safari.

“Është një keqkuptim i zakonshëm, kur thuhet se majmunët janë një hap larg nga të qenit njerëz, apo se janë një hallkë e ndërmjetme. Në fakt nuk është kështu”, thotë Kofran. Çarls Darvin, natyralisti më i njohur për teoritë e tij të përzgjedhjes natyrore, e përshkroi evolucionin “si një prejardhje me modifikim”.

Pra kjo do të thotë që njerëzit e kanë origjinën nga paraardhësit e zakonshëm (tashmë të zhdukur) të majmunëve që kanë jetuar miliona vjet më parë, një proces i referuar gjithashtu si “prejardhja e përbashkët”. Ndërsa ne ndajmë prejardhjen tonë me këto kafshë, gjatë rrugës, pra gjatë miliona viteve, ne të gjithë ndryshuam.

“Secili nga ne u përshtat me mjediset tona apo rrethanat specifike”, shton eksperti. Besohet se kjo shkëputje e njerëzve nga linja e majmunëve shimpanze ka ndodhur midis 9.3 dhe 6.5 milion vjet më parë. Përfundimi është se të gjithë njerëzit janë majmunë, dhe si të tillë të gjithë njerëzit janë të lidhur me majmunët e tjerë.

“Ky koncept i lidhjes universale është në fakt shumë modest, pasi kur e mendon mirë, ne ndajmë paraardhës me thuajse gjithçka që është e gjallë sot në Tokë”, shprehet Kofran. Me fjalë të tjera:ne jemi të gjithë pasardhës të një specie të vetme, që ka jetuar miliona e miliona vite më parë.

Kjo do të thotë gjithashtu se njerëzit kanë lidhje me balenat, peshkaqenët, pemët, krimbat dhe bakteret. “Kur përmendim evolucionin, ne flasim më shumë për majmunët, pasi ata janë të afërmit tanë më të afërt të gjallë sot”, thotë eksperti.

Kofran flet edhe një tjetër keqkuptim të zakonshëm, pra atë se njerëzit nuk po evoluojnë më. Në fakt të gjitha kafshët në Tokë po vazhdojnë të evoluojnë, dhe këtu përfshihen edhe njerëzit. Plus, vazhdon ai, ne priremi ta shohim evolucionin përmes një lenteje të përqendruar tek njeriu.

“Nuk jemi ne kulmi i evolucionit. Është e gabuar të besohet se gjithçka po evoluon drejt njerëzimit. Në fakt, evolucioni nuk ka një qëllim. Si shoqëri, ne përdorim termin evolucion me shumë domethënie sociale, ku ne e mendojmë evolucionin si një lloj përmirësimi”, thotë Kofran.

Një keqkuptim tjetër, është ai që e sheh evolucionin si një proces rreptësisht linear. Pra se ai ndodh në një vijë të drejtë, nga primitive në të avancuar. Por mund të jetë më e saktë ta mendojmë evolucionin si një proces “degëzimi”, pra krijimi i një grupi të ri organizmash nëpërmjet “divergjencës evolucionare” nga një paraardhës i përbashkët.

Marrë me shkurtime nga Discover Magazine – Bota.al