Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume tregon se çfarë mund të ndodhë nëse Partia Demokratike djeg mandatet.
Para gazetarëve njohësi i mirë i Kodit Zgjedhor dha këtë opinion ligjor:
“Djegia e mandateve është veprim ekuivalent me dorëheqjen ndaj një mandati të caktuar. Pra është një veprim që nuk ka asnjë ngërç ligjor. Nëse realizohet do të thotë që në Kuvendin e Shqipërisë krijohen vakanca dhe për këtë njoftohet KQZ për të plotësuar vakancat. Mënyra si ndodh më pas nuk është shprehur në Kodin Zgjedhor por për analogji mund të merret rasti i vakancës së krijuar nga një deputet i pavarur.
Që do të thotë KQZ do të thërrasë anëtarët kandidatë të PD-së në listë dhe asnjëri prej tyre nuk do të pranojë që të marrë mandatin, ky institucion duhet t’ia ofrojë subjektit zgjedhor me herësin më të madh që ka. Por e gjitha kjo për mendimin tim është një teknikë legjislative dhe që problemi me të cilin jemi duke u ndeshur nuk duhet të trajtohet në këtë aspekt por për efektin që ai sjell në jetën politike dhe në qeverisjen e të gjithë vendit”.
Mandati i kalon një partie tjetër. Pyetja lind: Mandati i një partie opozitare a mund t’i kalojë një partie tjetër? Të kemi hyrjen në parlament të forcave të tjera?
“Në parlament mund të hyjnë në vakanca nga lista që kanë qenë në garë në procesin zgjedhor në të kaluarën dhe sipas llogaritjeve që bëhen ka herësin më të madh. Mund të futen parti të tjerë që kanë garuar nëse. Në një rast të tillë nuk ka përgjigje direkte të shprehur në Kodin Zgjedhor. Nisur nga kjo për analogji mund të përdoret largimi i një deputeti të pavarur. Kur largohet deputeti i pavarur mandatin e tij KQZ duhet tia japë subjektit me herësin më të lartë. Kjo është analogjia që mund të përdoret. Që do të thotë që kjo hap shtegun që të marrin mandatin partitë politike që kanë garuar por që kanë herësin që mund ta përfitojnë një gjë të tillë”.
Megjithatë Kume i bën thirrje maxhorancës të reflektojë dhe të kërkojë zgjidhje.
“E gjitha kjo për mendimin tim është një teknikë legjislative dhe që problemi me të cilin jemi duke u ndeshur nuk duhet të trajtohet në këtë aspekt por për efektin që ai sjell në jetën politike dhe në qeverisjen e të gjithë vendit. Ne jemi një shoqëri që kemi pranuar të qeverisemi sipas parimit të përfaqësimit përmes zgjedhjes së deputetëve dhe krijimit të maxhorancës dhe të opozitës. Duhet të jenë këto të dyja së bashku që të mund të mirëqeverisemi nëse opozita largohet do të thotë që mundësitë e mirëqeverisjes zvogëlohen deri në minimum, pra Kuvendi mund të funksionojë me këtë përbërje që ka. Maxhoranca i ka numrat për të hapur punimet në kuvend, për të marrë vendime, jo ato me shumicë të cilësuar por në raste të tilla nuk është ajo që kërkohet të bëhet në një shoqëri që duhet dhe të qeverisë sipas parimit që thashë. Prandaj duhet që një vendim i tillë i PD-së të bëjë që maxhoranca të reflektojë dhe të kërkojë të gjejë zgjidhje për të zhbërë këtë situatë ngërçi nëse krijohet”, përfundoi Kristaq Kume.