Sport Nëse sezoni mbyllet këtu, kush shkon në Europë? Buzëqesh Siti, digjet Partizani,...

Nëse sezoni mbyllet këtu, kush shkon në Europë? Buzëqesh Siti, digjet Partizani, Italia nuk ka dyshime

Në gjithë Europën futbolli po kërkon një mënyrë për të mbyllur sezonin. UEFA do me çdo kusht që kampionatet kombëtare të përfundojnë, por duke parë që pandemia e koronavirusit nuk lejon fiksimin e një date për rifillimin e garave, ka bërë të ditura edhe kriteret për përcaktimin e skuadrave që kualifikohen për në kupat e Europës sezonin e ardhshëm, në rast të një mbylljeje përfundimtare që në këtë moment. Drejtuesit e UEFA-s kanë vendosur “meritën sportive” si kriter bazë që duhet marrë në konsideratë, nëse kampionatet nuk mbyllen. Le të shohim situatën në 5 kampionatet më të forta me këtë skenar të mundshëm, kush përfiton dhe kush jo.

Itali

Në Itali nuk ka dyshime për 4 skuadrat e kualifikuara në Ligën e Kampionëve, nëse kampionati përfundon këtu: Juventusi, Lacio, Interi dhe Atalanta. Dilemat janë për skuadrat që shkojnë në Ligën e Europës, konkretisht për vendin e 7-të, që shkon në paraeliminatoret e këtij kompeticioni. Milani ka 36 pikë dhe Verona 35, vetëm 1 pikë diferencë, por skuadra e Kumbullës dhe Rrahmanit ka një ndeshje më pak. Sipas “Gazzetta dello Sport”, nëse llogaritë bëhen me raportin pikë/ndeshje, në vend të 7-të shkon Verona (edhe Parma do ta kalonte Milanin), por nëse merret në konsideratë renditja pas javës së 25-të, shkon “Djalli” në Europë. Në mes është edhe Kupa e Italisë: nëse Milani fiton këtë kompeticion, shkon direkt në fazën e grupeve të Ligës së Europës dhe renditja e kampionatit nuk do të ishte e vlefshme.

Angli

Mbyllja e kampionatit në këtë moment do t’i shkonte për shtat Mançester Sitit, që do të kualifikohej në Ligën e Kampionëve, edhe pse më 14 shkurt UEFA e përjashtoi këtë klub nga kompeticionet e saj për dy vjet. Kampionët e Anglisë kanë bërë rekurs në Lozanë, por për momentin është gjithçka e pezulluar për shkak të pandemisë dhe ky është një lajm i mirë për ekipin e Guardiolës. Skualifikimi, nëse konfirmohet, ka vlerë pas sentencës së KAS-it dhe nëse ajo do të vinte pas fillimit të sezonit, “qytetarët” kanë të drejtën të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve. Përveç Sitit, kualifikohen edhe Liverpuli, Leiçesteri dhe Çelsi, kurse Mançester Junajtid, në vend të 5-të, shkon në Ligën e Europës, bashkë me Shefilldin, por ka shpresa edhe Volverhemptoni, që mund të kualifikohet me vendin e 7-të. Në Angli, përveç vendit të 5-të, shkojnë në Ligën e Europës edhe fituesit “FA Cup” dhe “Carabao Cup”, por këtë të fundit e ka fituar Mançester Siti (i kualifikuar në Ligën e Kampionëve), kurse “FA Cup” është ndalur në çerekfinale dhe mund të mos zhvillohet.

Spanjë

Kriteri i meritës sportive bën të buzëqeshë Real Sociedadin, që në renditje ka të njëjtat pikë me Getafen dhe të njëjtin golaverazh (+12), por deri në këtë moment ka shënuar më shumë dhe duke qenë se nuk i kanë luajtur të dyja ndeshjet mes tyre, është përpara në klasifikim për këtë detaj. Klubi bask shkon në Ligën e Kampionëve, bashkë me Seviljen, Realin dhe Barcelonën, “digjet” Atletiko Madrid. Për 3 vendet në Ligën e Europës topi i mbetet Federatës. Të sigurt janë Getafe e vendit të 5-të dhe Atletiko Madrid e vendit të 6-të, skuadra e tretë duhet të jetë fituesja e Kupës së Mbretit, që ende nuk dihet kush do jetë. Në finale kanë shkuar Real Sociedadi dhe Atletiko Bilbao dhe kështu do të jetë Federata, në rast se nuk luhet finalja, që do të vendosë: Bilbao si finalist, apo Valencia e vendit të 70-të?

Francë

Ka pak dyshime në Francë, ku PSG dhe Olimpik Marsejë shkojnë në grupet e Ligës së kampionëve, dhe Renes e vendit të tretë në turin e tretë paraeliminator. Po në Ligën e Europës? Normalisht kualifikohen vendi i katërt dhe fituesit e Kupës ë Francës dhe Kupës së Ligës, por këto dy kompeticione janë pezulluar para finaleve (PSG-Lion në Kupën e Ligës dhe PSG-Seint-Etien në Kupën e Francës). Nëse këto dy finale nuk luhen, sipas shtypit francez, nuk ka asnjë shans që Lioni dhe Seint-Etien të shkojnë në Ligën e Europës, ku do të fitonin një biletë skuadrat e vendit të 5-të dhe të 6-të, konkretisht Reimsi dhe Nica.

Gjermani

Në Gjermani hipoteza e mbylljes përfundimtare të kampionatit është ende shumë larg, Bundesliga po bëhet gati të rifillojë. Javët e fundit skuadrat kanë nisur stërvitjen (sipas rregullave) dhe edhe pse nuk ka një datë zyrtare, pritet që kampionati të rifillojë më 9 maj. Autoritetet kanë bërë të ditur planin e rifillimit dhe kanë qartësuar se edhe nëse do të ketë ndonjë lojtar që të rezultojë pozitiv, kampionati nuk do të ndërpritet.

Shqipëria

Në Shqipëri, në rast se kampionati do të mbyllej në këtë moment, ekipi më i goditur do të ishte Partizani, që do të mbetej jashtë kupave të Europës. Në Ligën e Kampionëve shkon Tirana kryesuese, kurse në Ligën e Europës Kukësi, Laçi dhe Skënderbeu, skuadrat e katër vendeve të para. Por, duke qenë se korçarët janë të dënuar, i lirojnë vendin Teutës së vendit të 5-të. Kupa e Shqipërisë ka mbetur në fazën çerekfinale dhe është e pamundur që të zhvillohet, nëse nuk zhvillohet as kampionati. Por të kuqtë nuk do të përfitonin as në këtë rast, sepse janë eliminuar nga ky kompeticion. Pa dyshim, ky është skenari që Partizani do ta kundërshtonte me forcë, sepse do t’i shkonte dëm i gjithë sezoni.