Java ka nisur e nxehtë dhe me temperatura të larta, duke shënuar sot edhe viktimën e parë në Memaliaj, por sipas meteorologes Tanja Porja nesër do të jetë dita më e nxehtë e javës dhe ndoshta e të gjithë korrikut.
Meteorologia theksoi se e mërkura dhe enjtja do të jenë ditë me temperatura ekstreme edhe në zonat malore.
“Presim mbi 41 gradë në Elbasan, Berat e Gjirokastër. Nesër mund të jetë dita më e nxehtë e muajit korrik, do të kemi plot ditë të nxehta. Korriku do të jetë i gjithi me ditë të nxehta dhe shumë të nxehta. Nesër 42 gradë Shkodra, Kopliku, Fushë Kruja, Tirana, Elbasani, Berati. Po ashtu Gjirokastra, Tepelena pritet të shënojnë temperatura 42 gradë. Nesër do të jetë dita më e nxehtë. Nesër rritja më e ndjeshm do të jetë në zonat malore, Hasi, Kukësi, Peshkopia, Burreli shumë pranë 40 gradëve”, tha Porja në A2 CNN.
Sipas saj vala e nxehtësisë konsiderohet globalisht si vrasës i heshtur dhe apelon që edhe në vendin tonë të merren masa sikurse në Kosovë.
Meteorologia jonë këshillon qytetarët që të mos dalin apo të lëvizin në orët e pikut të nxehtësisë nga ora 10-17.