Politika “Nesër është një ditë prove”, Berisha: “RamGonigali” nuk duhet të hyjë në...

“Nesër është një ditë prove”, Berisha: “RamGonigali” nuk duhet të hyjë në Parlament

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryedemokrati Berisha ka bërë thirrje për pjesëmarrje ditën e nesërme në protestën e opozitës në orën 10:00 para Parlamentit në nisje të seancës plenare.

Thirrjen për protestë kryetari i PD-së Berisha e argumenton duke thënë se kryeministri Rama nuk duhet të hyjë në Parlament, teksa i referohet dosjes hetimore për ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, McGonigal.

“Nesër është një ditë prove, prove e fortë. Protesta është thirrur në ora 10, sepse në orën 10, “RamGonigali” hyn në Parlament. A ka përdhosje më të madhe për atë parlament se hyrja e kryeministrit si “RamGonigali”? Prandaj qytetarë, siç zhvilluam të hënën që kaloi një betejë të shkëlqyer brenda dhe jashtë parlamentit, i bëj thirrje cilitdo, që ka minimumin e mundësive, të lërë çdo gjë dhe të vijë nesër në orën 10 në protestë. “RamGonigali” nuk duhet të hyjë në Parlament. Edhe po hyri, duhet të mbetet nën presionin e tmerrshëm të revolucionit aty ku është, brenda Parlamentit”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha thirrjen për qytetarët e bëri dhe për protestën e datës 3 Mars, nëpërmjet së cilës theksoi se PD ka vetëm një objektiv, Edi Ramën.

“Së fundmi, u bëj thirrje shqiptarëve të programojnë të gjithë axhendën me datën 3 mars, do të jenë në Tiranë në një protestë epike për nga përmasat. Theksoj se protesta ka vetëm një objektiv: Edi Ramën, Edi Ramën, Edi Ramën. Nuk ka të bëjë as me gjykatën, as me institucionet e tjera. Ne nuk bëjmë veprime në paragjykim. PD e ka vendimin e gjykatës. Gjykimi është për të pranuar palë Alibashën. Nuk ka gjykatë, pse e bëri Blerina Muçi nën ndikimin e Edi Ramës dhe Yuri Kim, të tjerë nuk mund ta bëjnë një akt të tillë sepse përmbyset sistemi i drejtësisë nëse shpall palë atë që nuk ka qenë palë, ti hap rrugën e rrëzimit të çdo vendimi gjyqësor me urdhra politikë. Objektivi ynë është Edi Rama, ky është një armik i egër që po bën gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij, pasi ka kryer vepra të tmerrshme, akte të pabesisë ekstreme ndaj SHBA, NATO-s, sigurisë së tyre, por edhe akte antikushtetuese ndaj demokracisë dhe pluralizmit në Shqipëri”, përfundoi Berisha.