Kreu i qeverisë Edi Rama, në një komunikim në Facebook u shpreh se javën e ardhme do të nisë hapja graduale, ku do të lejohet nisja e funksionimit të disa bizneseve, lista e të cilave do të publikohet në platformën e qeverisë, e-albania.
Ndërkaq ai tha se duke qenë se këtë fundjavë askush nuk do të lejohet të dalë, nesër deri në orën 11 të paradites, të gjithë pensionistët mund të dalin nga shtëpia, me vetëm një pensionist pranë.
Rama tha se kjo dalje nuk do jetë për të dalë parqeve apo për të luajtur domino, por vetëm për ajrosje.
Ndërkaq, Rama njofton se duke nisur nga java e ardhshme, ne e-albania do të merret një autorizim javor për ata që janë në punët e lejuara dhe automjeti do mund të lëvizë për vajtje-ardhje në punë vetëm me një person në sedijen e pasme diagonal, që mund të jetë një koleg.
Po ashtu javën e ardhshme do autorizohet lëvizja me automjet për arsye shëndetësore.
Rama bën me dije se ndërkohë, në javët në vijim do të jetë e mundur puna krejt lirisht, nga ora 5 e mëngjesit deri 5 e 30 pasdite, për të gjithë ata që do jenë në kategoritë e lejuara që do publikohen në faqen e e-albania.
Por kryeministri ka theksuar se ndëshkimet për ata që thyejnë rregullat do të jenë të ashpra.
“Të gjitha bizneset në këto kategori duhet të sigurohen që në çdo kolektiv, të mësohet së cilat janë detyrat dhe të respektohet protokolli i sigurisë sipas rregullave të përcaktuara, por dhe të mësojnë se cilat janë pasojat për shkelësit.
Javën e ardhme duhet të fillojmë të përgatitemi për tu hapur për javët në vijim.
Dhe së fundmi, dua të jem i qartë, nga java e ardhshme për shkelësit e rregullave, në radhë të parë për lokalet e trimave të lagjes që hapen fshehur, do të jenë të ashpra dhe të panegociueshme”.