Ditën e nesërme do të mbahet Kongresi i Partisë Socialiste pas fitores në zgjedhjet e 25 Prillit. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, duke folur sot për gazetarët nga selia rozë, zbuloi edhe disa detaje për ditën e nesërme.
Kongresi do të zhvillohet përmes 3 pjesëve. Në pjesën e parë do të jetë një histori e rrugëtimit të Partisë Socialiste në 30 vite, ku do të jenë pjesëmarrës dhe figura të vjetra të kësaj partie.
Në pjesën e dytë do të shpallet vizioni i PS për “Shqipërinë 2030” dhe programi qeverisës i “Rama 3”. Ndërsa në pjesën e tretë do të bëhet analiza për zgjedhjet e 25 Prillit me synim për t’u përgatitur për zgjedhjet vendore të vitit 2023.
“Nesër PS feston 30-vjetorin e saj dhe urimet nuk bëhen dot sot por natyrshëm është një moment historik në rrugëtimin e PS e cila gjatë gjithë këtyre viteve ka një kontribut të veçantë në jetën politike në vendit. Është e vetmja forcë që gjatë gjithë këtij rrugëtimi nuk i ka bërë asnjëherë dëm interesave të vendit.
Pjesa e parë e Kongresit do t’i dedikohet këtij rrugëtimi 30-vjeçar ku nuk do të zbardh sot surpriza të bukura. Pjesa e dytë e Kongresit është prezantimi i vizionit tonë Shqipëria 2030 dhe do jetë dhe pjesa që lidhet me një prezantim të objektivave të mandatit tonë qeverisës që do të jetë dhe boshti që qeveria Rama 3 do prezantojë në Kuvend në Shtator.
Më pas është dhe pjesa që lidhet me procesin e thellë të analizës dhe riorganizimit të strukturës së plotë të PS nga niveli bazë deri në nivel qëndror. Ndoshta në dy palë zgjedhje të kaluara ndoshta nuk kemi bërë analizë të thellë për të kuptuar në cilën pjesë të strukturës nuk kemi funksionuar si duhet. Prandaj po i japim vetes kaq shumë kohë në dispozicion procesin fillon prej 15 Qershorit deri në 15 Janar 2022 dhe në Pranverën e vitit të ardhëm e gjithë struktura organizative e PS t’i përgjigjet pritshmërisë së kryetarit Rama dhe gjithë kolegëve të tjerë në përgatitjen e zgjedhjeve vendore të vitit 2023”, u shpreh Taulant Balla.