Bota Netanjahu nën presion për armëpushim në Gaza, dy ministra e kërcënojnë me...

Netanjahu nën presion për armëpushim në Gaza, dy ministra e kërcënojnë me dorëheqje nëse pranon

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ndodhet mes dy zjarresh pas planit të bërë publik nga presidenti amerikan Joe Biden që do t’i jepte fund luftës në Gaza brenda 6 javësh.

Në njërën anë janë protestat e dhunshme në rrugë dhe komuniteti ndërkombëtar që i kërkojnë të pranojë draftin që kthen pengjet në shtëpi dhe tërheq ushtrinë nga Gaza dhe në krahun tjetër janë ministrat e ekstremit të djathtë që ka në qeveri të cilët e kanë kërcënuar me dorëheqje nëse pranon t’i japë fund luftës pas shkatërruar Hamasin.

Ministri i Financave dhe ai i Sigurisë kombëtare thanë se do të tërhiqeshin nëse arrihej tani një marrëveshje. Gjithsesi Netanjahu ka marrë mbështetjen e kreut të opozitës për të ecur më tej me planin e armëpushimit.

Propozimi i Biden ishte i ndarë në 3 faza dhe që do të çonte në tërheqjen e ushtrisë izraelite, lirimin e të gjithë pengjeve dhe të burgosurve dhe nisjen e një plani për rindërtimin e Gazës.

Sinjale pozitive tha për draftin edhe Hamasi ndërsa në favor të tij përveç SHBA-ve u deklaruan edhe Egjipti dhe Katari. Më shumë se 36 000 njerëz janë vrarë në Gaza që nga fillimi i sulmit izraelit.