Ndërsa iu drejtohej kryebashkiakëve të qyteteve kufitare jugore të goditura nga sulmi i papritur i militantëve islamikë të Hamasit që filloi të shtunën, kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu tha se ajo që do të bëjë Izraeli tani do të “ndryshojë Lindjen e Mesme”.
Ndërkohë ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant tha se Izraeli do të vendosë rrethim të plotë ndaj Gazës, territorit që kontrollohet nga Hamasi.
“Ne po vendosim një rrethim të plotë në Gaza, nuk do të ketë energji elektrike, ushqim, ujë, karburant, gjithçka do të mbyllet. Ne po veprojmë në përputhje me rrethanat”, tha ministri izraelit, Gallant.
Ushtria izraelite tha se kishte thirrur 300,000 rezervistë. Kjo dhe rrethimi i Gazas merren si shenja se Izraeli po planifikon një sulm tokësor për të mposhtur Hamasin.
Izraeli ka dërguar tanke dhe ushtarë edhe në kufi me Libanin. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se ushtria e vendit e mbështetur nga helikopterët kishin vrarë një numër personash të armatosur që kishin depërtuar në Izrael nga Libani, duke rritur frikën se luftimet mund të përhapen më gjerë në rajon.
Izraeli zyrtarisht shpalli gjendjen e luftës të dielën, duke paralajmëruar luftime më të mëdha dhe një sulm të mundshëm tokësor në Gaza, një veprim që në të kaluarën ka shkaktuar shumë viktima.
Kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh tha të hënën se palestinezët kanë të drejtën për t’u mbrojtur nga agresioni dhe pushtimi izraelit.
“Këto ngjarje dhe pasojat e tyre janë rezultat i politikës së qeverisë izraelite për shfrytëzimin e metodave më të këqija të agresionit, vrasjeve, konfiskimit të tokës, sulmeve në vendet e shenjta dhe terrorizmit. Agresioni dhe masat e sigurisë nuk mund të prodhojnë paqe për Izraelin apo qetësi për izraelitët”, thotë zoti Shtayyeh.
Hamasi vazhdoi të sulmonte Izraelin me raketa, duke ndezur sirenat e sulmeve ajrore nga Jerusalemi deri në Tel Aviv.
Izraeli reagoi duke goditur më shumë se 1000 objektiva në Gaza dhe tanket dhe dronët ruanin gardhin e dëmtuar kufitar me Gazan për të parandaluar më shumë arritje të militantëve në territorin izraelit.
Hamasi është i rrënjosur thellë në Gaza dhe ka sunduar territorin që nga dëbimi i forcave besnike ndaj Autoritetit Palestinez të njohur ndërkombëtarisht në vitin 2007. Sundimi i tij ka kaluar i pa sfiduar përmes një bllokade 16-vjeçare izraelite dhe egjiptiane dhe katër luftëra të mëparshme me Izraelin.
Pasi kaluan pengesat izraelite me mjete shpërthyese në agimin e së shtunës, persona të armatosur të Hamasit u hodhën në sulm për orë të tëra, duke vrarë civilë dhe duke rrëmbyer njerëz në qytete, përgjatë autostradave dhe në një festival muzikor të ndjekur nga mijëra në shkretëtirë. Militantët palestinezë kanë hedhur gjithashtu rreth 4,400 raketa në Izrael, sipas ushtrisë.
Ushtria izraelite vlerësoi se 1000 luftëtarë të Hamasit morën pjesë në ndërhyrjen fillestare të së shtunës. Numri i lartë vuri në dukje shtrirjen e planifikimit nga grupi militant, i cili ka thënë se e nisi sulmin në përgjigje të vuajtjeve në rritje të palestinezëve nën pushtimin izraelit në Bregun Perëndimor, bllokadës së Gazës, politikave diskriminuese në Jerusalemin lindor të aneksuar dhe tensioneve rreth një vendi të shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë në Jerusalem.
Palestinezët duan një shtet të tyrin në të tre territoret të pushtuara nga Izraeli në luftën e vitit 1967, por bisedimet e fundit serioze të paqes u ndërprenë më shumë se një dekadë më parë dhe qeveria e ekstremit të djathtë të Izraelit është kundër shtetësisë palestineze.