Nga Etan Nechin – Haaretz
Në korrik, ndërsa Izraeli ishte përfshirë nga protestat pas një tjetër armëpushimi të prishur dhe pengmarrjes në Gaza, kryeministri Benjamin Netanyahu ishte rrugës për t’iu drejtuar Kongresit Amerikan.
Vizita u prezantua jo vetëm si një shfaqje e forcës për Netanyahu-n, por edhe e kornizuar në terma historikë.
Ekspertët festuan arritjen e tij duke thyer rekordin e Winston Churchill, me më shumë ftesa për t’iu adresuar Kongresit.
Gjatë fjalimit, të katërtin e tij, Netanyahu citoi Churchill-in: “Na jepni mjetet dhe do ta përfundojmë punën”. Kjo nuk ishte rastësore.
Netanyahu, si djali i një historiani, ka qenë gjithmonë thellësisht i shqetësuar me trashëgiminë dhe imazhin e tij për veten.
Ai shpesh ka bërë krahasime mes tij dhe Churchill-it: si kryeministër i kohës së luftës, autor, orator mjeshtëror dhe një mburojë kundër fashizmit. Edhe pasi mbaroi fjalimin e tij në Kongres, Netanyahu u ndal pranë bustit të Churchill-it për të bërë një foto, për t’u siguruar që krahasimi të mos humbiste për askënd. Fansave të tij në media u pëlqen të nxisin këtë analogji.
Vetëm javën e kaluar, drejtuesi i radios së krahut të djathtë, Naveh Dromi, mbajti një monolog katërminutësh duke krahasuar Netanyahu-n me Churchill-in, ndërsa pretendonte: “Churchill mundi nazistët me mbështetjen e SHBA-ve, Netanyahu eliminoi boshtin iranian pavarësisht SHBA-ve”.
Megjithatë, pas një viti luftimesh, fatalitetesh dhe shpërnguljesh, dhe me një urdhër-arresti ndaj tij, të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, trajektorja e Netanyahu-t përputhet më pak me Churchill-in dhe më shumë me atë të liderit serb Sllobodan Millosheviç.
Ashtu si me Netanyahu-n, në vitet e tij të hershme, Millosheviç nuk konsiderohej si një ekstremist. E nisi si një funksionar komunist pa vërejtje. Por, ashtu si Netanyahu, në mënyrë cinike ai mundësoi dhe fuqizoi lëvizjet ultra-nacionaliste në Serbi, duke shfrytëzuar ekstremizmin e tyre për qëllimet e tij.
Pakti që ai lidhi, duke besuar se mund të komandonte besnikërinë e tyre, u shpërbë pasi këto forca të pakontrollueshme u çliruan nga duart e tij, duke e zhytur kombin e tij drejt humnerës.
Si Netanyahu ashtu edhe Millosheviçi u larguan nga morali themelues i shteteve të tyre të pas Luftës së Dytë Botërore: në rastin e Izraelit, mamlachtiut, qeverisja për hir të të gjithë kombit dhe jo grupeve të interesit të veçantë, në rastin e Jugosllavisë, “vëllazëria dhe bashkimi”.
Ata njohën fuqinë që mund të çlirohej duke shfrytëzuar tensionet shoqërore për të përçarë dhe pushtuar, duke vënë grupet kundër njëri-tjetrit.
Millosheviçi fillimisht u distancua nga ekstremistët serbë, madje duke i dënuar publikisht veprimet e tyre. Në vitin 1995, ai i tha ambasadorit britanik, Sir Ivor Roberts, “Nuk kam fare të bëj me ta. Unë u thashë këtyre të çmendurve se kjo mënyrë e çmendur sjelljeje e diskrediton popullin serb”.
Në mënyrë të ngjashme, Netanyahu dikur u zotua të mos bashkohej kurrë me provokatorin e ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir ose me lëvizjen e kolonëve të ekstremit të djathtë, duke hedhur poshtë dhe dënuar pikëpamjet e tyre ekstremiste.
Ish-presidenti Reuven Rivlin zbuloi deklaratën e Netanyahu-t: “Jo vetëm që nuk do të sjell në qeveri njerëz që janë ndjekës të Kahane-s (një ideologji fetare sioniste), por as nuk do të fotografohem apo të shoqërohem me ta”.
Netanyahu deklaroi publikisht se Ben-Gvir nuk do të shërbente si ministër në qeverinë e tij dhe madje refuzoi të ndante të njëjtën skenë me të gjatë një ndalese zgjedhore.
Kur fati i tyre politik mori një kthesë, qëndrimi i tyre ndryshoi dhe formimi i një aleance me nacionalistët e dhunshëm u bë mënyra e tyre e vetme për të mbajtur pushtetin.
Netanyahu mbrojti vendimin e tij për të emëruar Ben-Gvir si ministër të sigurisë së brendshme duke i thënë NPR-së, “ai ka modifikuar shumë pikëpamje të tij”, duke shtuar: “Ata po bashkohen me mua. Unë nuk po i bashkohem atyre”.
Pas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, Slobodan Millosheviç fillimisht fitoi njëfarë favori në Perëndim, por u përball me sfida të brendshme në rritje. Partia e tij pësoi humbje të konsiderueshme në zgjedhjet e dëmtuara nga parregullsitë. Si përgjigje, ai lëshoi forcat që në fund kryen mizori në Kosovë – ngjarje që në fund provokuan ndërhyrjen dhe bombardimet e NATO-s.
Për Netanyahu-n, sapo problemet e tij ligjore u zmadhuan, ai iu drejtua së djathtës ekstreme, duke e vlerësuar hyrjen e tyre në politikën kryesore si pjesë e një koalicioni të mundshëm qeverisës dhe përfundimisht u pa duke buzëqeshur në një foto fushate me Ben-Gvir.
Të dy gjithashtu hoqën me mjeshtëri fajin nga administratat e tyre, duke e ridrejtuar atë drejt objektivave të tilla si media, disidentët, ligjvënësit, agjitatorët e jashtëm dhe myslimanët.
Pas fitores së tij të papritur pas vrasjes së Rabinit, Netanyahu u transformua menjëherë nga kreu i shtetit në një mbrojtës të vetëshpallur të identitetit hebre.
Komenti i tij famëkeq i një gafe (hot mic) drejtuar një rabini pushtetar – “E majta harroi se çfarë do të thotë të jesh hebre” – e bëri të qartë se ai nuk i dallonte milionat që mbështetën Oslo-n nga milionat që protestonin në rrugë, e lëre më arabët izraelitë, si pjesë e zonës së tij elektorale.
Për të, nuk është vetëm Izraeli kundër Hamasit, por mbështetësit e tij kundrejt shoqërisë liberale kryesore.
Nëse nacionalizmi i Netanyahu-t, si ai i Millosheviçit, buron nga bindjet e përzemërta apo nga oportunizmi i mallkuar, përbuzja e tij e vërtetë për palestinezët dhe arabët është e dukshme. Ashtu si Millosheviçi, ai e percepton veten si një lider në ballë të një lufte kundër Islamit, duke e pozicionuar veten si një mbrojtës i “Perëndimit”.
Ashtu si Netanyahu, Millosheviçi i justifikoi veprimet e tij si mbrojtjen e Evropës nga “hordhitë” myslimane. Ngjashëm me Millosheviçin, Netanyahu ka zotëruar artin e manipulimit të realitetit për mbështetësit e tij, duke i shndërruar humbjet në fitore të perceptuara. Pavarësisht luftërave që ka humbur, ai ka arritur të mbijetojë politikisht duke i riformuluar dështimet si triumf.
Ashtu si Millosheviçi e ktheu humbjen e Kosovës në një fitore ndaj Perëndimit – duke theksuar se Kosova teknikisht mbeti pjesë e Jugosllavisë në vitin 1999, ndërsa de facto humbi kontrollin – Netanyahu ka përdorur taktika të ngjashme. Ai ka theksuar veprimet si vrasja e Sinwar dhe Nasrallah, operacionet bombarduese në Iran dhe veprime të tjera ushtarake për të anashkaluar katastrofën e 7 tetorit dhe vitin pasues të bombardimeve dhe shpërnguljeve si dhe kthimin e Izraelit në një shtet a pariah (një komb që konsiderohet si i dëbuar nga komuniteti ndërkombëtar).
Gjatë sundimit të Millosheviçit, publiku serb u ushqye me një rrjedhë të qëndrueshme të narrativave mediatike rreth sukseseve ushtarake dhe kërcënimit të supozuar të paraqitur nga myslimanët.
Çdo kritikë e luftës ose pranimi i mizorive u hesht sipas ligjeve të rrepta. Ato u hodhën poshtë si jopatriotike, demoralizuese ose tradhtare. Ato pak media që guxuan ta kritikonin u mbyllën, madje edhe redaktorët u vunë në shënjestër.
Përpjekja e Netanyahu-t për të riformuar median izraelite, së bashku me sulmet e tij ndaj gazetarëve dhe mediave kritike, pasqyron një besim – njëjtë si ai i Millosheviçit – se kontrolli i narrativës është thelbësor për ruajtjen e pushtetit, edhe nëse kjo nënkupton shkatërrimin e shtypit të lirë për të heshtur zërat kundërshtarë dhe shqyrtimin e besueshëm.
Aq sa, të dy liderët kultivuan nacionalizëm brutal, regjimet e tyre u karakterizuan/janë gjithashtu të shënuara nga nepotizmi dhe korrupsioni.
Gruaja e Sllobodanit, Mira Marcoviç – sociologe, funksionare qartësisht e vetëshpallur – shihej si një forcë shtytëse pas politikave të tyre të vijës së ashpër dhe rezistencës ndaj lëshimeve, si Sara Netanyahu sot. Po kështu, djemtë e tyre, Yair dhe Marko, u kritikuan si të privilegjuar, duke mishëruar polemika dhe shkëputje ndërsa përfitonin nga pushteti i baballarëve të tyre.
Marko shfrytëzoi një mënyrë jetese luksoze, shmangu shërbimin ushtarak dhe hapi Bambiland, një park argëtimi serb gjatë bombardimeve të NATO-s, ku do të parakalonte me uniformë. Është e vështirë të mos tërheqësh paralele me Yair Netanyahu-n, i cili bridhte në Miami, duke nxitur kundër ushtrisë dhe duke u rreshtuar kah reaksionarëve amerikanë të ekstremit të djathtë, në vend që të jetonte në Izrael.
Por ndoshta mësimi më i rëndësishëm është se një urdhër-arresti nga ICC-ja nuk është një pilulë magjike që do të rrëzojë demagogët populistë. Rënia e Millosheviçit nuk erdhi si rezultat i drejtpërdrejtë i urdhër-arrestit të lëshuar në vitin 1999, por u nxit nga qëndrueshmëria e popullit serb dhe një opozitë e bashkuar që u shfaq pas vitesh vështirësish dhe protestash. Të fortët pa rrugëdalje, janë të rrezikshëm. Me rritjen e protestave, Millosheviçi u bë paranojak dhe fajësoi gjeneralët për lëshimet dhe humbjet.
Siç shkroi Misha Glenny në vitin 1998 në London Review of Books, “dyshimi në rritje i Millosheviçit për ushtrinë e ka bërë atë të mbështetet te grupi i tij personal – forca policore jashtëzakonisht e zgjeruar që përfshin 60-70 mijë burra të mirë-armatosur dhe të mirë-paguar”. Netanyahu nuk kishte nevojë të paguante për kontrollin e policisë. Në vend të kësaj, ai emëroi Ben-Gvir, një ish-shënjestër e Shin Bet, për t’i mbikëqyrur ata. Nën autoritetin e Ben-Gvir, policia është bërë një krah i qeverisë, një milici de facto e rreshtuar me të djathtën ekstreme, duke rrahur familjet e pengjeve, duke arrestuar protestues kundër luftës, duke fortifikuar rezidencën e Netanyahu-t dhe duke shpërndarë armë përmes ministrisë pa mbikëqyrjen e duhur. Pasi ICC-ja lëshoi urdhër-arrest kundër tij, Millosheviç deklaroi: “Unë nuk e njoh gjykatën. Është një mekanizëm politik i krijuar për të asgjësuar popullin serb”.
Në mënyrë të ngjashme, Netanyahu ka shkrirë identitetin e tij personal me atë të Izraelit, duke inkuadruar kritikat për veprimet e tij si një sulm ndaj vetë kombit dhe popullit hebre. “Vendimi antisemitik i Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë nuk është asgjë më pak se një gjyq modern i Dreyfus-it. Izraeli kundërshton legjitimitetin e këtij vendimi”, tha kryeministri në një video-fjalim.
Netanyahu, me një frymë të vetme, shndërrohet nga mosbindja Churchilliane në britmën e pafuqishme të një viktime të përndjekur. Edhe pas urdhër-arrestit, Millosheviç u kap pas pushtetit dhe kandidoi për rizgjedhje. Megjithatë, rezistenca e udhëhequr nga të rinjtë fitoi vrull dhe uniteti eventual i opozitës rreth një kandidati të vetëm shkaktoi përpjekjet e Millosheviçit për të sabotuar zgjedhjet, duke shkaktuar zemërim mbarëkombëtar.
Mijëra u mblodhën në Beograd, duke duruar rezistencën e policisë derisa forcat e armatosura filluan të dezertojnë. Një grevë e përgjithshme, e mbështetur nga sindikatat kryesore dhe e inkurajuar nga të larguarit si kryetari i bashkisë së Beogradit, çoi në Revolucionin e Buldozerit.
Përballë humbjes, Millosheviçi më në fund pranoi, megjithëse u përqendrua në një ankesë të vogël: shtëpia e djalit të tij Marko u plaçkit. Pas humbjes së Millosheviçit, Marko u largua drejt Rusisë me nënën e tij, Mira, e cila më vonë tha: “Asgjë nuk kishte më rëndësi”. Kjo i bën jehonë komentit të supozuar të Sara Netanyahu pas humbjes së Benjamin Netanyahu në 1999: “Pse duhet të përpiqemi? Le të ikim dhe ta lëmë vendin të digjet”.
Edhe pas humbjes së Millosheviçit, udhëheqësi i ri, Vojislav Koshtunica, hezitoi t’ia dorëzonte Millosheviçin Hagës, duke përmendur shqetësimet se gjykata u shfaq “selektive në zgjedhjen e rasteve që i shërbejnë nocionit të saj të drejtësisë”.
Pika e kthesës për arrestimin e tij, u bë korrupsioni, konkretisht mashtrimi prej 300 milionë dollarësh që i bëri Millosheviçi, thesarit të shtetit. Një paralele shfaqet në gjyqin penal të Benjamin Netanyahu-t, ku akuzat për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit hedhin hije mbi udhëheqjen e tij.
Të dyja rastet ilustrojnë kryqëzimin e rrezikshëm midis përpjekjes për mbijetesë politike dhe gatishmërisë për të rrezikuar popullsinë e vendit dhe për të çmontuar institucionet e tij në një përpjekje të dëshpëruar për të mbajtur pushtetin. Kur ai përfundimisht humbi pushtetin dhe u dërgua në Hagë, shumë serbë u tronditën. Ata besonin se rënia e tij vinte nga betejat ekonomike dhe sanksionet ndërkombëtare dhe jo nga krimet e luftës që ai orkestroi.
Në mënyrë të ngjashme, nën udhëheqjen e Netanyahu-t, politikanët izraelitë i kanë cilësuar vuajtjet në Gaza si një çmim të domosdoshëm për sigurinë kombëtare, duke portretizuar bllokadën, sulmet ushtarake dhe krizat humanitare si të pashmangshme. Kritika shpesh hidhet poshtë si anti-izraelite, demoralizuese ose e nxitur nga agjenda të fshehura politike.
Ashtu si në Serbi, kjo narrativë mbron publikun nga përballja me kulturën e mohimit dhe indiferencës që propagandohet jo vetëm nga qeveria, por nga politikanët kryesorë më gjerësisht. Disa argumentojnë se urdhër-arrestet e ICC-së janë të pakuptimta, sepse ato nuk mund të zbatohen, por ideja që Netanyahu mund të arrestohet në Londër e keqkupton çështjen. Kështu ka qenë gjithmonë për shoqërinë izraelite.
Ashtu si në Serbi dhe gjetkë, i takon popullit ta dëbojë atë nga pushteti, jo gjykatave të jashtme. Serbët e bënë këtë duke e larguar me votë.
ICC-ja duhet të sigurojë vrullin moral dhe politik që kjo të ndodhë edhe në Izrael. Urdhri është një kujtesë se mbështetja e Izraelit nuk është e barabartë me mbështetjen e Netanyahu-t; në fakt të kërkon që ta kundërshtosh atë.