Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se Irani ka rifilluar pasurimin e uraniumit me 20%, pasi po synon të prodhojë armë bërthamore.
Sipas tij, veprimi i Iranit nuk shpjegohet në asnjë mënyrë, veçse si realizim i vazhdueshëm i qëllimit për të zhvilluar një program ushtarak bërthamor.
“Izraeli nuk do të lejojë Iranin të prodhojë armë bërthamore”, deklaroi ai.
Edhe më herët, Netanyahu ka akuzuar Teheranin se po përpiqet të zhvillojë arsenalin e tij bërthamor për të shkatërruar shtetin e tyre.
Irani rinisi pasurimin e uraniumit në nivelin 20%, sipas agjencive të lajmeve të këtij shteti. Kjo konsiderohet një shkelje e rëndë e marrëveshjes bërthamore mes Teheranit dhe fuqive të mëdha të botës. Ujdia e implementuar në vitin 2016 ngriu programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare. Por marrëveshje pësoi një lëkundje të madhe kur presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq duke kërkuar rinegocim.