Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të mërkurën se vendimin se si do t’i përgjigjen Iranit pas sulmeve masive ajrore do ta marrë vendi i tij, duke mos marrë në konsideratë thirrjet për vetëpërmbajtje nga aleatët e ngushtë
Izraeli është zotuar se do t’i kundërpërgjigjet sulmit të pashembullt të Iranit, por pa thënë se kur dhe si, gjë që ka shkaktuar shqetësim tek vendet e rajonit për një përshkallëzim të mëtejshëm, pas muajsh të tërë trazirash për shkak të luftës në Gazë. Që prej sulmit, aleatët e Izraelit i kanë bërë thirrje autoriteteve izraelite që të tregojnë maturi dhe të mos ndërmarrin veprime që mund të përshkallëzojnë konfliktin. Thirrje të tilla u përsëritën edhe të mërkurën gjatë vizitave të ministrave të jashtëm britanikë dhe gjerman.
Trysnia diplomatike pasoi paralajmërimin e Presidentit të Iranit se edhe sulmi “më i vogël” në territorin iranian do të merrte një përgjigje “masive dhe të ashpër”.
Ndërkohë, të mërkurën u shënua rritje e dhunës mes Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah të mbështetur nga Irani, që lëshoi një seri raketash në veri të Izraelit.
Sulmi shkaktoi plagosjen e paktën 14 ushtarëve izraelitë, gjashtë në gjendje të rëndë, tha ushtria.
Duke folur në mbledhjen e kabinetit, të mërkurën, kryeministri Netanyahu tha se u takua me ministrat, të Gjermanisë dhe të Britanisë dhe i falenderoi për mbështetjen e vendeve të tyre.
Por ai tha se Izraeli do të vendoste vetë se si do t’i përgjigjej Iranit, pavarësisht nga “të gjitha sugjerimet dhe këshillat” që vinin nga aleatët e Izraelit, disa prej të cilëve, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe Francën, e ndihmuan Izraelin të zmbrapste sulmin me dronë dhe raketa të Iranit.
“Dua të jem i qartë: ne do t’i marrim vetë vendimet tona. Shteti i Izraelit do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur veten”, tha zoti Netanyahu.
Pavarësisht retorikës së ashpër, Izraeli duket se nuk ka gjasa të sulmojë Iranin drejtpërdrejt pa patur të paktën mbështetjen e aleatit më të fortë, Shteteve të Bashkuara, por ai mund të përdorë metoda më të fshehta, si sulmi me objektiv komandantë të lartë iranianë ose grupe të mbështetura nga Irani në vende të tjera, ose ndërmarrja e një sulmi kibernetik.
Është e paqartë se si mund të përgjigjet Irani duke pasur parasysh tensionet e rritura. Çdo veprim i llogaritur gabim nga secila palë rrezikon të shkaktojë nisjen e një luftë rajonale.
Administrata e Presidentit Joe Biden njoftoi të martën sanksione të reja ndaj Iranit dhe po punon për të koordinuar dënimin në rang botëror të sulmit, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet. Zyrtarët amerikanë thanë në fillim të kësaj jave se Presidenti Biden i ka thënë kryeministrit Netanyahu se Uashingtoni nuk do të jetë pjesë e përgjigjes izraelite ndaj Iranit.
Me rritjen e tensioneve, aleatët e Izraelit kanë shtuar thirrjet për vetëpërmbajtjeje.
Të mërkurën, Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron dhe ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, të cilët ishin në vizita të veçanta në rajon, bënë thirrje për qetësi.
Sekretari Cameron tha se “është e qartë se izraelitët po vendosin për të vepruar” kundër Iranit, por shtoi se shpresonte se do të vepronin “në një mënyrë sa të mençur edhe të ashpër dhe që ndikon sa më pak në përshkallëzimin e situatës”. Ai foli pas takimit me presidentin e Izraelit Isaac Herzog, posti i të cilit është ceremonial.
Ministrja Baerbock tha se Gjermania qëndron “në solidaritet të plotë me Izraelin”, por i bëri thirrje të tregojë maturi.
“Tani të gjithë duhet të veprojnë me maturi dhe përgjegjësi. Unë nuk po flas për dorëzim. Po flas për përmbajtje, që nuk është asgjë më pak se forcë”, u tha ajo gazetarëve. “Sepse Izraeli tashmë ka treguar forcë me fitoren e tij mbrojtëse në fundjavë”.
Ministrat thanë se do të nxisin sanksione të mëtejshme ndërkombëtare ndaj Iranit.
Presidenti iranian Ebrahim Raisi paralajmëroi gjatë paradës ushtarake vjetore të mërkurën se vendi i tij do të ndërmarrë një përgjigje të ashpër në rast se Izraeli vendos të hakmerret pas sulmit të pashembullt iranian ndaj shtetit hebre.