Pas dorëheqjes së ish-gjeneralit Benny Gantz nga qeveria, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, vendosi të shpërndaj kabinetin e luftës që u krijua pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi në Izrael.
Lajmi u bë i ditur pasi ushtria izraelite njoftoi gjatë fundjavës për një “ndalim të përkohshëm të luftimeve, gjatë ditës, që e quajti një vendim taktik të saj me synimin për futjen e ndihmave në Gazë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, vendimi nuk nënkupton fillimin e një armëpushimi të plotë siç është kërkuar edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vendosi të shpërndaj kabinetin e luftës prej gjashtë anëtarësh, një vendim që pritej pas dorëheqjes së politikanit të qendrës, Benny Gantz.
Kryeministri Netanyahu pritet tashmë të zhvillojë konsultime për luftën në Gazë me një grup të vogël ministrash, duke përfshirë ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant dhe ministrin e Çështjeve Strategjike Ron Dermer, të cilët ishin pjesë e kabinetit të luftës.
Ndërkaq, Forcat izraelite të Mbrojtjes publikuan një video këtë fundjavë ku thuhet se njësitë elitare sulmonin atë që e përshkruan si “infrastrukturë terroriste” në Gazë me “sasi të mëdha armësh”.
Videot e forcave izraelite nuk janë të verifikuara nga burime të pavarura.
Kjo është një nga ofensivat e fundit të Izraelit në konfliktin që filloi para nëntë muajsh. Lufta filloi pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor në Izrael. Atë ditë, grupi, i shpallur si organizatë terroriste nga perëndimi, dhe aleatët e tij sulmuan kufirin me Izraelin duke vrarë 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.
Kundërpërgjigja ushtarake izraelite ishte e fuqishme duke vrarë më shumë se 37 mijë njerëz, kryesisht civilë, sipas të dhënave të Hamasit që nuk janë të konfirmuara nga burime të pavarura.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për muaj të tërë për “katastrofë” dhe “uri” në Gazë”, pasi Izraeli mbylli pikat e hyrjes ku normalisht do të kalonin ushqimi, uji, karburanti dhe ilaçet.
Por që nga e diela, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan për një “ndalesë të përkohshme të luftimeve” gjatë ditës.
Nga pesë e mëngjesit deri në katër pasdite, ndalesa synon të lejojë kalimin e sigurt të kamionëve me ndihma që sjellin furnizimet shumë të nevojshme në Gazë.
Njoftimi u mirëprit nga organizatat humanitare që bëjnë përpjekje për muaj të tërë për të ofruar ndihma.
“Këtu kemi një katastrofë të mungesës së ujit dhe higjienës. Njerëzit kanë ndërtuar kampe në rrugë, në plazh apo në rastin më të mirë në ndonjë strehimore. Aty tani janë krijuar lumenj të ujërave të zeza”, thotë Carl Skau nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së.
Lajmi për “ndalesën e përkohshme taktike” vjen pasi qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi se tetë nga ushtarët e saj u vranë në Rafah të Rripit të Gazës në atë që ishte sulmi më vdekjeprurës i tillë nga Hamasi që disa muaj.
Kryeministri Netanyahu tha se ata u vranë nga një raketë antitank apo një bombë që ishte vënë në rrugë.
Ndërkohë, izraelitët vazhduan protestat e tyre javore kundër qeverisë së zotit Netanyahu duke bërë thirrje për fundin e luftës dhe lirimin e pengjeve të marrë nga Hamasi.
Lajmi për hyrjen e sigurt të ndihmave humanitare vjen ndërsa myslimanet festojnë Kurban Bajramin. Këtë vit kjo festë merr një kuptim të ri. Pas disa muajsh luftë, në vend që të festojnë në shtëpitë e tyre, shumë palestinezë tashmë luten mbi grumbuj gurësh dhe rrënojash./VOA