Zyrtarët kinezë thonë se ata mund të kenë gati një vaksinë kundër koronavirusit në muajin prill, që do të përdoret për situata emergjente apo prova klinike, sipas gazetës amerikane ”New York Post”.
”Tetë institute në vend janë duke punuar në pesë qasje të ndryshme ndaj vaksinave, në një përpjekje për të luftuar COVID-19”, sipas gazetës kineze ”South China Morning Post”.
“Sipas vlerësimeve tona, ne kemi shpresë se në prill disa nga vaksinat do të hyjnë në hulumtime klinike ose do të përdoren në situata emergjente”, thotë Zheng Zhongwei, drejtor i Qendrës së Shkencës dhe Teknologjisë në Komisionin Kombëtar kinez të Shëndetësisë.
Ndërsa do të duheshin të paktën 12 deri në 18 muaj për të siguruar që vaksinat të jenë të sigurta për publikun e gjerë, sipas ligjit kinez, ato mund të vendosen më herët për përdorim urgjent gjatë një emergjence të madhe shëndetësore publike, për sa kohë që përfitimet tejkalojnë rreziqet.
Në SHBA, kompania e bioteknologjisë me bazë në Massachusetts, ”Moderna Inc”. dërgoi vaksinën e saj pranë Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive për testime.
Rezultatet fillestare mund të jepen në korrik ose gusht.