Zyrtarë amerikanë të Shërbimeve të Inteligjencës kanë dalë në përfundimin se shërbimet ruse ushtarake kanë dhënë shpërblime në fshehtësi te militantët e lidhur me talebanët për të vrarë ushtarë amerikanë në Afganistan, raportoi të premten gazeta “New York Times”.
Sipas gazetës, e cila citon zyrtarë brenda Shërbimeve të Inteligjencës, e gjithë kjo histori është zhvilluar vitin e kaluar, ndërkohë që forcat e koalicionit të udhëhequra nga SHBA dhe NATO po ndihmonin në arritjen e paqes mes autoriteteve afgane dhe talebanëve.
Militantë islamikë, ose elementë kriminalë të lidhur me ta, besohet se kanë marrë disa herë shpërblime për shërbimet e kryera. Sipas shifrave zyrtare, në vitin 2019, 20 amerikanë u vranë në Afganistan.
“New York Times” shkruan se gjetjet i janë dorëzuar edhe Presidentit amerikan Donald Trump dhe çështja është diskutuar edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë në mars të këtij viti. Zyrtarët kanë parashtruar një sërë alternativash si kundërpërgjigje ndaj Moskës, ku nuk janë përjashtuar vendosja e sanksioneve.
I pyetur nga gazeta amerikane, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, tha se Presidenti Putin dhe institucionet ruse nuk kishin marrë asnjë njoftim nga pala amerikane për këtë. Por ai tha se nëse do të ngrihen akuza zyrtare, Rusia do të kundërpërgjigjet.
Zabihullah Mujahid, një zëdhënës i talebanëve, mohoi që ata të kishin marrëdhënie të tilla me ndonjë agjenci të shërbimeve inteligjente dhe e quajti lajmin një përpjekje për të hedhur baltë mbi organizatën e tij.