Mauricio Pochettino e ka nisur me këmbë të mbarë te PSG. Me vetëm disa ditë që të mbushet muaji i parë si trajner në kryeqytetin francez, argjentinasi tashmë mund të thotë se është ende i pamposhtur dhe se ka fituar një titull kundër Olympique Marseille, rival i madh në Ligue 1. Bilanci në këto ndeshje të para është pozitiv, megjithëse sprova e vërtetë do të jetë pas pak më shumë se dy javë (16 shkurt), kur do të udhëtojë në Barcelonë për ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve kundër Barçës.
Nga Franca sigurojnë se Pochettino ka revolucionarizuar stërvitjen me metoda të ndryshme nga Tuchel, duke ndryshuar në mënyrë thelbësore ngarkesën e punës. “Nxehja është shumë e plotë me Pochettino. Është ekuivalente me stërvitjen e Tuchel. Po punojmë më shumë”, – sigurojnë burime nga ekipi parizien për të përditshmen “L’Equipe”.
Ky burim nga ekipi parizien për “L’Equipe” thotë se stërvitja ishte një nga problemet kryesore që Tuchel kishte dhe Pochettino tashmë e ka adresuar. Së pari, me orarin. Seancat stërvitore të pasdites, një kërkesë nga lojtarët për të fjetur në mëngjes, kanë mbaruar. Tani, ata stërviten në orën 11 dhe mund të paraqiten në klub në 09:30, nëse duan ta hanë mëngjesin aty.
Nga ora 11:00 fillojnë dy orë pune intensive. Sipas “L’Equipe”, jo pak lojtarë përfundojnë të lodhur. Me një ndeshje në javë, trajneri argjentinas i përgatit lojtarët për qëndresë fizike, në mënyrë që të performojnë mirë në sfidat europiane (Champions), por edhe të ruajnë pulsin në Ligue 1. Djali i tij Sebastiano, i cili tashmë ka punuar me të për të rregulluar formën fizike të Tottenham, është në krye të kësaj detyre.
Parizienët duhet të punojnë në planin fizik edhe taktik. Konkretisht, në mbrojtje. Sipas “L’Equipe”, me Tuchel, Neymar i luante ndeshjet vetëm në sulm, duke punuar krejt skuadra për të. Braziliani dhe Mbappé, sipas burimeve të revistës së njohur sportive franceze, bënin pak stërvitje në fushë dhe më shumë punë në palestër, me trajnerin gjerman. Tuchel nuk i angazhonte në fazën defensive. Pra, dy yjet e ekipit bënin çfarë të donin. Tashmë, për ta privilegjet kanë mbaruar.
Mauricio është mjaft ndërhyrës dhe i pëlqen të mbajë peshën e trajnimit, të cilën trajnerët e tjerë e linin më shumë në duart e stafit të tyre. Nga fusha, ai orienton, kërkon dhe shfrytëzon rastin për të biseduar e njohur ndjenjat e secilit lojtar, për ta menaxhuar ekipin e tij në mënyrën më të mirë. Tani për tani, ai po përgatit motorët për pjesën vendimtare të sezonit. Sipas “L’Equipe”, fitoret e fundit i kanë dhënë merita metodës së argjentinasit për t’i bindur lojtarët e tij se kjo është rruga e duhur e të ecurit përpara, nga e cila nuk mund të bëjnë përjashtim as Neymar dhe Mbappé. Tashmë “ligjin” në ekip e bën trajneri, jo ata, si me Tuchel.