Pa një jave heshtje, Nelsoni, tifozi që u godit me grusht nga Neymar gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve të Kupës së Francës, ka vendosur të flasë. E ka bërë për prestigjiozen “L’Equipe”, siç thotë ai, “për t’iu përgjigjur atyre, që më akuzuan se dua të fitoj para me këtë histori.” Ai ka zbuluar se ka përgatitur paditë ndaj një analisti për komentet që bëri ndaj tij.
“Saktësoj se nuk kërkoj asnjë qindarkë, zyrtarisht apo jozyrtarisht. Nëse vërtet do të kisha kërkuar të merrja para e të përfitoja nga ky rast, Neymari do më kishte denoncuar menjëherë. I vetmi person që kam vendosur të padis është kolumnisti Pierre Menes, për komentet që bëri ndaj meje. Ai mund të ketë marrë vetë para të pista për të mbrojtur interesat e një lojtari apo një klubi. As unë dhe as avokati im nuk kemi kontaktuar me PSG dhe Neymarin. Unë nuk jam në shitje. Cilido kompensim i mundshëm nuk më mbush me lumturi. Çfarë më duhen këto para, nëse humb nderin tim?”
Më tej tifozi i Rennes shpjegoi se ka ma marrë kërcënime nga njerëz të ndryshëm, pas shpërndarjes së fotos dhe adresës së tij në rrjetet sociale.
“Njerëzit e kanë shpërndarë adresën time në rrjetet sociale. Jam një person që e dua jetën, por nuk e kam braktisur shtëpinë, pavarësisht kërcënimeve. Këtë të enjte, katër persona erdhën dhe më kërcënuan, duke më thënë: Herën tjetër, nëse merresh me Neymar, do të shohësh se çfarë do të të bëjmë.
Isha në mesin e tifozëve, po qeshnim, ishim të ekzaltuar nga suksesi i skuadrës sonë. Tani, sigurisht, kërkoj falje. Verratti dhe Buffon reaguan si zotërinj ndaj fjalëve të mia. Neymar nuk duhet të kishte reaguar ashtu, sepse është një profesionist. Kërkoj të takohem me të, që të mund t’i rregullojmë gjërat. Do t’i kërkoj falje dhe të shtrëngojmë duart”.