Neymar është gati të bëjë gjithçka për t’u kthyer te Barcelona. Historia e dashurisë mes yllit brazilian dhe PSG duket se po përfundon mbas vetëm dy sezonesh së bashku. Sulmuesi është i vendosur të hedhë një hap prapa dhe të kthehet në “Camp Nou”. Sipas katalanases “Sport”, Neymar do të ishte i gatshëm t’iu kërkojë publikisht falje bashkëlojtarëve të mëparshëm dhe tifozëve të Barcelonës për largimin e dy viteve më parë.
Asokohe u tundua në mënyrë të papritur nga 222 milionë eurot e ofruara nga PSG, që e bënë atë transferimin më të shtrenjtë në historinë e futbollit. 27-vjeçari referoi të kalonte në “Parc des Princes”, duke dashur të shpëtojë nga hija e superstarit Lionel Messi. Një projekt emocionues për brazilianin, i cili në vetëm 24 muaj duket se ka humbur çdo interes për të. Neymar te PSG nuk arriti kurrë të shkojë përtej çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, duke fituar vetëm trofe kombëtarë. Këtë gjë, parizienët e kishin bërë edhe para ardhjes së tij.
Në aspektin e imazhit, duke luajtur në një kampionat më pak konkurrues se Liga Liga, Neymar nuk iu afrohet objektivave madhorë, qofshin ekipor, qofshin individual. E vetmja gjë që ka shtuar si lojtar i PSG lidhet me milionat e shumtë, të depozituar në llogarinë e tij. Një aspekt që nuk është më i mjaftueshëm për ta mbajtur Neymar në Paris. Ai dëshiron të kthehet te Barcelona, në klubin ku përjetoi sezonin më të mirë të karrierës.
Për ta bërë këtë, siç është përmendur, është i gatshëm të kërkojë falje, si publikisht, ashtu edhe privatisht. Braziliani duket se ka folur tashmë me disa lojtarë të blaugranëve për t’u rikthyer. Ky është hapi i parë në një rrugë të gjatë, që mund ta kthejë Neymar përsëri në “Camp Nou”.