Pas publikimit të kontratës 19 faqëshe të transferimit të Neymar nga Barcelona te Paris Saint Germain, sot kanë dalë në dritë të tjera klauzola të saj, që lidhen pikërisht me sjelljen në publik të sulmuesit të talentuar brazilian.
Kështu klubi i PSG-së ka marrë përsipër t’i paguajë brazilianit një pagë mujore bruto prej 541.680 eurosh në muaj, ose rreth 375 mijë euro neto, në këmbim të sjelljes së mirë ndaj tifozëve dhe përshëndetjes me ta në përfundim të çdo ndeshjeje.
Gjithashtu në këtë mënyrë drejtuesit e Paris Saint Germain është siguruar që sulmuesi brazilian të përmbahet nga shprehja e çdo pikëpamjeje politike a fetare, që mund të dëmtojë interesat e klubit në tërësi.
Kujtojmë që në dokumentin e zbuluar dje nga El Mundo Deportivo, përveç 222 milionë eurove që shkojnë në arkat e Barcelonës për prishjen e kontratës me Neymar, u zbulua edhe paga e këtij të fundit, që e çonte koston totale të PSG-së në afërsisht 500 milionë euro.