Neymar dihet se ka pasur disa momente shpërthyese ndër vite, por sulmuesi ka pranuar se po përpiqet të përmirësohet në këtë drejtim, ndërsa hapet për çështjet e tij të aspektit psikologjik. Ylli i PSG u përfshi në një numër incidentesh sezonin e kaluar, si pezullimi për akuzat ndaj gjyqtarëve, pas eliminimit të skuadrës së tij në Champions (kundër Manchester United) dhe sulmi ndaj një tifozi. “Unë nuk jam një person shumë i hapur në biseda, – tha ai për “Mirror”. – Jam një djalë shumë i rezervuar, i mbaj gjërat brenda vetes.
Por, vjen një pikë kur përfundoj i irrituar, zemërohem, shpërthej dhe nuk komunikoj në mënyrë të saktë. Jam duke u përpjekur të përmirësohem në këtë aspekt. Kurdo që kam një bisedë të caktuar me dikë, përpiqem të flas. Dhe mendoj se kjo po më bën mirë. Unë mendoj se, kur je mirë mendërisht, gjërat ndodhin natyrshëm, ka më shumë të ngjarë të bëni gjërat e duhura. Nëse nuk jeni aq mire psikologjikisht, gjërat nuk do të ndodhin ashtu siç prisni. Ndonjëherë është e vështirë, sepse gjithmonë duhet të jesh perfekt.
Si qenie njerëzore, kjo është e pamundur. Jam rrëmbyer disa herë, kam humbur qetësinë, ndoshta edhe besimin, por mendoj se është normale që qeniet njerëzore të dështojnë. Kjo është pjesë e jetës. Edhe për shkak të këtyre gabimeve ju rriteni e mësoni. Prindërit, motra ime, familja dhe miqtë e mi, falë tyre luaj futboll dhe stërvitem çdo ditë, pasi e di se ata janë gjithmonë në anën time. Ata janë njerëzit që më ndihmuan kur nuk kisha asgjë, kështu që janë frymëzimi im.
Kur bëhesh me famë, situata të duket pak e çuditshme, por mësoheni me të. Ndihem krenar dhe i lumtur. Jam shumë i nderuar që jam një person shembull për të tjerët. Është një mënyrë inkurajimi. Nëse mund të ndihmoj disi, gjithmonë përpiqem të bëj gjërat e duhura, duke luajtur futboll, duke bërë një foto, ose duke dhënë një përqafim. Jam shumë i lumtur me mbështetjen e të gjithëve”.