“Jam duke bërë trajtime speciale për të përshpejtuar procesin e riaftësimit. Jemi shumë të kënaqur me rezultatet. Mezi po pres që të kthehem dhe të bëj atë që dua më shumë në botë; të luaj futboll”. Kështu shprehet Neymar, në një intervistë të transmetuar në kanalin YouTube.
Jashtë fushave të lojës, që nga 23 janari, për shkak të një dëmtimi në shputën e këmbës së djathtë, sulmuesi brazilian është sy e veshë nga çerekfinalet e Champions-it. Në fakt, të tijtë kanë për të luajtur edhe duelin e kthimit të raundit të dytë të këtij kompeticioni, ndaj Manchester United.
Sidoqoftë, transferimi rekord botëror në futboll (222 milionë euro) mendon se PSG e ka hipotekuar raundin e ardhshëm, pas triumfit 2-0 në “Old Trafford”. Ish-lojtari i Barçës nuk harron edhe kampionatin: “Njerëzit mendojnë se është e lehtë për të luajtur në Francë, por ka lojtarë të mëdhenj në aspektin fizik dhe nuk është kollaj të gjesh hapësira”.
Duke këmbëngulur se është i lumtur në Paris, Neymar nuk i ka krysyer lavdet në adresë të portierit Gianluigi Buffon: “Jam krenar që e ndaj dhomën e zhveshjes me Buffon. I kam premtuar atij: do të bëjmë çdo gjë për ta ndihmuar, që të fitojë Ligën e Kampionëve. Kur u dëmtova më dërgoi një mesazh, duke më thënë: ‘Kthehu shpejt, kam nevojë për ty!’ Unë jam tifoz i madh i Gigi-t”.