Kryeministri Edi Rama, në një dalje përpara mediave, ka prezantuar një nismë të re të qeverisë së tij.
Me një pyetësor drejtuar çdo shqiptari, në Shqipëri apo në botë, kryeministri Rama tha këtë të premte se do të zhvillohet një kuvendim popullor, ku kërkohet mendimi i qytetarëve mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë.
Kryeministri u shpreh se shqiptarët do të pyeten për çështje duke nisur nga anëtarësimi në BE dhe vetoja e Bullgarisë, Ballkani i Hapur, vaksinimi me detyrim, dhuna në familje, nënat shtatzëna etj.
“Zotimi për ndërmarrjen e një hapi të rëndësishëm në drejtim të gjithë shqiptarëve pa dallim me besimin se ne shqiptarët kemi mundësi të shkojmë shumë më shpejt përpara nëse e dëgjojmë më shumë njëri tjetrin pa u ndarë në llogoret e vjetra politike që nxisin përçarje, sherr, konfuzion, kundër interesit të familjeve shqiptare. Pikërisht në prag të një viti të ri mundësish të reja vjen edhe kjo nismë e re e qeverisë për Këshillimin Kombëtar për Shqipërinë. Ne me një pyetësor, të cilin do t’ua vëmë në dispozicion të gjithë shqiptarëve brenda apo jashtë vendit, do t’i japim jetë një kuvendimi popullor, ku do të thithim mendimin e tyre mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, për shoqërinë tonë. Është më shumë se asnjëherë më parë koha për t’i lënë pas llogoret e sherrit politik dhe për të menduar për gjërat që na bashkojnë përtej shumë gjërave që na ndajnë në mënyrë që të hedhim hapa të rëndësishëm përpara duke u këshilluar së bashku. Për vendime që kanë rëndësi dhe impakt të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë me jashtë, në ekonominë e shtëpisë sonë, në gjendjen sociale brenda shtëpisë, patjetër edhe në përpjekjet jetike të kësaj shtëpie për të thelluar arritjet dhe adresuar plagët e padrejtësisë në funksion të luftës për drejtësi”, tha Rama.