Krerët e shteteve, monarkët dhe udhëheqësit fetarë të botës zotërojnë disa prej automjeteve më të veçanta dhe më të sigurtë në botë. Njihuni me një pjesë të tyre.
“Bisha” amerikane
Numri një i Shteteve të Bashkuara të Amerikës udhëton me atë që njihet si “Bisha”. Versioni aktual i automjetit tejet të blinduar presidencial është prezantuar më 2018. Është një Cadillac i modifikuar, me përmirësime estetike, që e bëjnë atë më të hollë sesa versioni i mëparshëm më masiv. Sipas mediave amerikane, makina përmban një frigorifer, për të mbajtur gjak që i përshtatet tipit të presidentit, në rast se nevojitet ndonjë transfuzion emergjent. Automjeti presidencial po ashtu raportohet të ketë doreza të elektrizuara të dyerve, për të zmbrapsur personat e paautorizuar që provojnë të futen brenda. Ndërkaq, për të ruajtur sekretet, versionet e mëparshme të makinës shkatërrohen nga stafi i Shërbimit Sekret amerikan.
Rivali rus i “Bishës” amerikane
Rivali rus i “Bishës” është limuzina Aurus, e cila përdoret nga Vladimir Putin si automjeti shtetëror presidencial i Rusisë, që nga prezantimi i tij më 2018. Versioni i makinës që përdoret nga Putin rëndohet nga veshja mijëra kilogramëshe me blind, e cila e çon peshën e përgjithshme të veturës në 6.5 tonë. Ekzistojnë edhe versione civile të makinës së prodhuar në Rusi. Versioni më i lirë shitet për 245 mijë dollarë.
Sekreti kinez
Modeli i fundit i limuzinës që përdoret nga presidenti i Kinës, Xi Jinping, është Hongqi N501. Edhe ky automjet presidencial është prezantuar më 2018, dhe Xi është inauguruar gjatë një vizite në Afrikë. Pothuajse asgjë nuk dihet publikisht për veçoritë e sigurisë që përmban kjo makinë. Hongqi është marka më e vjetër kineze e automjeteve.
Krenaria britanike
Limuzina shtetërore Bentley është automjeti zyrtar i mbretëreshës Elizabeth II të Mbretërisë së Bashkuar. Dy modele të kësaj makine janë ndërtuar më 2002. Që të dyja përmbajnë një stoli të trashë mbi kapakun e motorit, që shfaq Shën Gjergjin duke vrarë një dragua. Rrotat e limuzinës së blinduar, që mban flamurin e monarkisë, janë gjithashtu të mbrojtura nga kevlari, i njëjti material i papërshkueshëm nga plumbat që përdoret në helmetat e ushtarëve britanikë.
Bukuria japoneze
Pamja ka qenë më prioritet sesa siguria gjatë dizajnimit të makinës së perandorit të Japonisë, Naruhito. Toyota ka krijuar një version unik, me çati të hapur, të limuzinës së saj luksoze Century, për paradën e kurorëzimit të udhëheqësit simbolik të Japonisë, në Tokio, në nëntorin e vitit 2019. Makina pritet të shihet në publik përsëri, gjatë paraqitjeve të perandorit në ceremonitë e Lojërave Olimpike, në kryeqendrën japoneze.
“Shëtitja” e Papa Françeskut
Papa Françesku udhëton me makina të ndryshme gjatë vizitave të tij nëpër botë, por ndoshta “Popemobile” më unik është ky automjet Karenjy, i prodhuar në Madagaskar, dhe i përdorur në shtatorin e vitit 2019. Karenjy, që do të thotë “shëtitje” në gjuhën madagaskane, është një kompani afrikane, e njohur për kamionët e tij që i përballojnë rrugët e vrazhda lokale. Një ekip prej 15 punonjësish kanë punuar pesë muaj për ta krijuar këtë automjet. Ai përmban një ndenjëse rrotulluese, flamuj të Vatikanit, dhe versione të arta të stemës së papës në dyert e tij të pasme.