Duke ndjekur, pa shumë vëmendje, por, pa dyshim, me një lloj kurioziteti të holluar debatet e shqiptarëve në internet, qëlloi të ndeshja emrin dhe adresën elektronike të një mikut tim të vjetër. Një ish-studenti të shkëlqyer të matematikës, me të cilin më shumë sesa studimet, na bashkonte para viteve ’90 pasioni i stadiumit dhe ajo drithërima e çdo të diele pasdite, kur “Dinamo” dilte në fushë dhe ne e ndiqnim me një ndjesi tashmë të harruar. Pastaj pasditet e bordurës, kur më shumë sesa profesorët, personazhet e bisedave tona të tensionuara qenë futbollistët dhe kur debatet e thjeshta shndërroheshin në disa beteja fjalësh, që shumë shpesh më duken si pararendëset e Parlamentit të sotëm. I kënaqur nga kjo rigjetje pas shumë vitesh, i nisa një mesazh të shkurtër, duke besuar se ndryshimet dhe koha e largët duhet ta kishin zbehur disi atë kujtim të mrekullueshëm të një jete tjetër. Në të vërtetë nuk ishte ashtu dhe miku im m’u përgjigj shumë shpejt, duke kujtuar me një saktësi të frikshme shumë detaje dhe situata të harruara, duke nënvizuar absurditetin e kohës, por pa e fshehur edhe një lloj nostalgjie. Nostalgjia normale që ka çdo njeri për fëmijërinë apo rininë që nuk kthehet më. Kudo dhe sido që të ketë qenë ajo. Nuk e di pse pas mesazheve të para, ai më sqaroi diçka për familjen që kishte në Boston, për dy fëmijët që tashmë po rriteshin dhe shqetësimin se pavarësisht shqipes së gjymtuar që flisnin të dy, ndiheshin pak ose aspak shqiptarë. Mesazhi tij, që kishte brenda në të vërtetë shumë dhimbje, më kujtoi një tjetër debat të gjerë në internet për po të njëjtën temë: sa e pranishme do të ishte Shqipëria te fëmijët e emigrantëve të vendosur tashmë prej vitesh jashtë dhe sa problem krijonte kjo te prindërit e tyre? Më shumë sesa një pyetje apo dëshirë e thjeshtë, ajo shkonte shumë më tej. Sa të lidhur do të ishin këta fëmijë me prindërit e tyre, të formuar dhe të edukuar në një mënyrë krejt tjetër, peng apo robër të parimeve dhe filozofive të ndryshme? Pra, sa mund të kuptoheshin në një botë të re, kur prindërit dhe fëmijët do të hynin me botëkuptime thuajse diametralisht të kundërta. Çështje identitetesh mendova, ndërsa miku im vijonte të më kujtonte plot skena të mrekullueshme të viteve të rinisë, skena dhe detaje që asnjë nga fëmijët e tij nuk mund t’i kuptonte. Po cilat janë ato rrethana që përcaktojnë identitetin e një personi dhe sa të trashëgueshme janë në familje apo te fëmijët? Dhe sa mund të ndihet njeriu i plotësuar nëse një rrethanë apo një tjetër e ka privuar nga shumë detaje apo ngjarje, për të mos thënë botëkuptime që kanë shënjuar fëmijërinë e tij?
Vështirë për t’i dhënë përgjigje. Qëlloi që ato ditë të mesazheve sapo kisha mbaruar së lexuari një libër të mrekullueshëm, një lloj eseje filozofike të titulluar: “Identitete vrastare”. Autori, një shkrimtar i njohur libanez, që në moshën 27-vjeçare ishte vendosur në Francë dhe që tashmë, prej po 27 vitesh, jetonte dhe krijonte atje, Amin Maalouf, shtronte pikërisht pyetjen më të thjeshtë, por edhe më të komplikuar në botë: “Çfarë jam unë?”. Përgjigjja e parë do të ishte pa dyshim e shpejtë dhe pa ndonjë reflektim të madh, libanez. Kishte lindur dhe ishte edukuar atje. Bartte me vete një pjesë të mentalitetit dhe kujtimeve të asaj pjese të botës dhe, mbi të gjitha e mbi gjithçka, ishte mjaft i lidhur me historinë e vendit të tij. Por përgjigjja e dytë dhe më e menduar kërkonte më shumë vëmendje. Prej 27 vitesh jetonte tashmë në Francë dhe jeta parisiene ishte bërë një shprehi e tij. Jetonte si francez, mendonte si francez, e mbi të gjitha shkruante frëngjisht. Ata që e takonin, e merrnin pa dyshim si të tillë dhe mënyra e të shprehurit dhe ajo e të menduarit ishin aq larg bashkatdhetarëve të tij. Akoma më shumë fëmijët i flisnin thjesht frëngjisht dhe Franca ishte atdheu i tyre i vetëm. E pra, çfarë ishte realisht ai dhe cila ishte përgjigjja më e saktë që mund t’i jepte pyetjes së tij sfilitëse. I tunduar nga ideja e globalizmit, ai sqaronte apo linte të kuptohej se identitetet e kanë humbur tashmë kuptimin e tyre të parë e të dikurshëm dhe se ajo që konsiderohet si më e spikatura te një racë apo kombësi, nuk mund të jetë karakteristikë e të gjithë grupimit. Ideja se identitetet janë përzier tashmë dhe se te gjithsecili mund të flejë pak nga origjinat e largëta, dilte herë-herë në tekst, duke shënjuar një identitet të ri, por edhe shumë interesant, atë të njerëzve pa identitet të përcaktuar. Thjesht qytetarë të botës ose produkte të një globalizmi që sa vjen e rritet. Produkte të “Coca-Cola”-s apo “Philips”-it, të “Sony”-t apo “Gillete”-s, të “Versace”-s apo “Nestle”. Qytetarë të një bote që sa po vjen e po unifikohet dhe ku dallimet karakteristike të dikurshme kanë mbetur shpesh si truke komerciale për të tunduar apo gënjyer turistët e hutuar.
Por nëse një pjesë e madhe e botës kishte filluar të bashkohej tashmë prej vitesh në këtë grupim gjithnjë e në rritje, në grupimin ku identitetet fillojnë e zbehen dhe nuk luajnë ndonjë rol të spikatur; nëse shumica e fëmijëve të botës kishin filluar prej dekadash të rriten dhe të edukohen në qytete dhe fshatra që gjithnjë e më shumë i ngjajnë njëri-tjetrit, pavarësisht cepave të globit ku janë ngritur, për ne gjithçka ishte më e ndryshme. Jam i bindur se shumica e fëmijëve të botës sot, në momentin e ndërgjegjësimit të tyre kanë së paku një mori gjërash të njohura, pavarësisht vendit ku rriten: luajnë me topa që mbajnë markën “Adidas”, ulen përballë tavolinash ku kanë prodhimet e “Nestle” dhe mbi to, shishet e “Pepsit” apo “Coca-Cola”-s. Fëmijët e mikut tim kishin pa dyshim një jetë si kjo, por jo ai vetë. I shënjuar me një identitet të pastër dhe tashmë thuajse të harruar, më shumë sesa produkt i globalizmit në rritje, ai dhe pothuajse të gjithë ne që qemë rritur para viteve ’90 në Shqipëri, ruanim tashmë vulën e një origjine të spikatur. Një origjinë që na bën shpesh të ndihemi të afërt, por pse jo edhe të largët dhe të pakuptueshëm për fëmijët që po rriten.
Nuk e di se sa të qartë e kisha këtë vetë në kokë, por më shumë se kurrë e ndjeva një mbrëmje të mrekullueshme maji. Një mbrëmje të freskët buzë detit në Durrës, i tunduar nga ideja për të pjekur në një barbeky portative salsiçet e një firme tiranase, të quajtur Hako, m’u desh të kaloj jo pak kohë me procesin e përgatitjes së saj. I pamësuar me zjarrin, besoj se shpenzova jo pak kohë dhe një vandak me gazeta, për t’i dhënë flakë një turre drush të lagur, të cilat nga ana e tyre duhej të ndiznin dhe të përgatisnin disa grushte qymyr, mbi të cilat pritej të vendosej ushqimi që do të piqej. Nuk e di se sa kohë humba duke ndjekur me shqetësim flakën, që herë shfaqej e herë zbehej, por ndoshta rreth një orë pasi kisha hedhur shkrepësen e parë, flaka mori mbroth dhe unë vendosa të shtoja mbi të disa kaci qymyr, nga ai që shitet në çdo pikë shumice të Tiranës. Pak minuta më vonë, ndërsa qymyri kishte filluar të skuqej dhe të merrte formën përfundimtare të një barbekye, nuk e di pse aroma e tij, ajo erë e rëndë dhe shpesh e padurueshme, m’u bë befas e afërt. Një ndjesi e çuditshme më solli pranë një nga ato ditët e ftohta të fëmijërisë ose më mirë të thuhet, një mbrëmje prej tyre. M’u duk se e rigjeta edhe një herë familjen time të mbledhur në kuzhinën e ngushtë, ku bubullinte një nga ato sobat 9 mijë lekëshe me dru, pa emër dhe markë, dhe që ne, si pothuaj gjithë shqiptarët e tjerë, e mbushnim shpesh në ditët e ftohta me qymyr. Duke shpresuar se nxehtësia do të qëndronte më shumë dhe se, në fund të fundit, kjo ishte mënyra më e mirë për të kursyer diçka nga katër latat e druve, që vështirë se mund të ishin të mjaftueshme për një familje në një dimër të ashpër. Nuk e di pse rijetova edhe një herë momentin kur soba mbushej plot me atë qymyrin e keq dhe të lagësht të Valiasit, i shndërruar në ca forma vezake dhe që nuk e di se përse quhej qymyrguri. Krejt inferior dhe i pakrahasueshëm me atë tjetrin, qymyrin e drurit apo qymyrin që mbante emrin “I Memaliajit”. Një asocim i çuditshëm e lidhi erën e qymyrit me atë të çajit të malit, që ziente në cep të sobës, në çajnikun kinez prej alumini, dhe që, sa herë nxehej tej normales, prodhonte një shfryrje të zhurmshme dhe pse jo të frikshme. Pastaj vinte era e bukës së thekur, nganjëherë të djegur, që jo rrallë, për t’i shmangur kontaktin me pllakën e nxehtë të sobës, e vendosnim mbi mashën e gjatë. I tunduar nga ai kujtim i mrekullueshëm, por njëkohësisht i mjerë i fëmijërisë, nuk e di pse m’u duk vetja krejt absurd përpara barbekysë portative, qymyrit që e merrja tashmë nga një thes me etiketë të shkruar bukur dhe salsiçeve, që prisnin në krah shndërrimin e qymyrit në prush. I gjendur mes dy situatave, që aq papritur dhe pabesueshëm i kishte lidhur një aromë e rëndë dhe aspak e këndshme qymyri, mendova befas se një asocim të ngjashëm duhej të kishin me qindra – mijëra, në mos me miliona shqiptarë të tjerë. A ka ndonjë prej tyre, pyeta veten, që nuk bashkon dot në një aromën e bukës së thekur në sobë dhe jo në thekësen elektrike, erën e çajit të malit, që del nga një çajnik i përvëluar alumini dhe aromën e qymyrit, që prodhonte shpesh në kuzhinat e vogla një ajër të rëndë dhe mbytës? Vështirë, ia ktheva përgjigjen vetes dhe nuk e di pse besova atë moment se ajo që na shënjonte të gjithëve dhe që na bënte kaq të afërt me njëritjetrin, ishte pikërisht kjo. Ose disa dhjetëra situata e detaje të tilla, krejtësisht tonat, që kishin shënjuar një pjesë të rëndësishme të jetës ose formimit shqiptar. Dhe që ishin kaq të veçanta dhe kaq të ndryshme nga çdo situatë ose detaj që kishte shënjuar formimin e një populli ose disa popujve në të njëjtën epokë me atë tonën.
Disa orë më vonë, ndërsa darka kishte mbaruar dhe mbi barbekynë portative qenë fikur tashmë edhe thëngjijtë e fundit, telekomanda e televizorit më mbeti padashur në një stacion që transmetonte, nuk e di se si, një emision homazh për Tano Banushin. Një emision i mrekullueshëm, që risillte pranë humorin e hollë të shumë viteve më parë, që ishte, as më shumë dhe as më pak, humori i fëmijërisë sime. M’u kujtua se si ngulesha para TVSH-së ditën e shtunë në mbrëmje, kur sipas programit të saj ishte “Estrada në ekran” dhe m’u duk se ende tani e kam të vështirë të përjetoj po atë kënaqësi të atyre dy orëve. A mund t’ia shpjegonte miku im fëmijëve të tij amerikanë këtë dhe a do ta kuptonin ata? Si do t’ua shpjegonte atë momentin kur, i veshur si fotograf, Tano Banushi replikon me qytetarin që nuk gjente fotografinë e tij, duke i lëshuar batutën monumentale: “Gruan ta gjeta, fëmijët t’i gjeta, kur nuk e di ti vetë ku je, si ta di unë!?” Pa dyshim që nuk do ta kuptonin dhe nuk është çudi që, një moment apo në një tjetër, ta vështronin me qortim. Qenë të aftë të kuptonin çdo njeri, në çdo cep të globit, por jo babain e tyre të rritur në një lagje të ulët dhe me qerpiç të Tiranës. I përkisnin një grupi tjetër identitetesh dhe, ashtu si në një tregim të mrekullueshëm të Teodor Kekos, vetëm më vonë do ta kuptonin se i ati, miqtë e tij, shumë nga ne, i përkisnin një identiteti dikur të spikatur, por tani në zhdukje, atij të shënjuar me firmën e dikurshme: “made in Albania”.
Marrë nga revista MEDIUS.