Bota Nga burgu në politikë: Chelsea Manning kandidon për një karrige në senatin...

Nga burgu në politikë: Chelsea Manning kandidon për një karrige në senatin amerikan

Chelsea Elizabeth Manning, një banore e Bethesda, Maryland, ka shpallur kandidaturën e saj për senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një demokrate.

Zgjedhjet do të zhvillohen më 26 Qershor 2018, në krye të zgjedhjeve të përgjithshme të 6 Nëntorit.

Sipas “Washington Post”, kandidatja është e njëjta Manning, e cila gjatë kohës që punonte si analist inteligjence për ushtrinë amerikane (asokohe Bradley Manning), i dorëzoi një sërë dokumentesh të klasifikuara Wikileaks. Kjo solli dënimin e saj me 35 vite burg, dënim i cili u shkurtua nga presidenti Barack Obama pas shlyerjes së 7 viteve.

Bradley Manning duke u shoqëruar në sallën e gjyqit

Manning është gjithashtu një grua transgjinore, e cila ka krijuar një audiencë të sajën mes progresivëve duke shkruar mbi të drejtat e transgjinorëve dhe mbi transparencën e qeverisë.

Tashmë ajo do të ndeshet në një ring me senatorin demokrat Ben Cardin, i cili nuk ka humbur një betejë politike më parë. Senatori ka krijuar mjaft lidhje në shtetin e tij dhe fushata ka fonde të mjaftueshme.

Por, Manning mund të përfitojë nga profili i saj më i gjerë kombëtar për të grumbulluar para dhe për të gjetur mbështetjen e votuesve të krahut të majtë. Kandidatura e saj padyshim do të hasë vështirësi, por do të fitojë vëmendje brenda SHBA.

Në shumë shtete Manning nuk do të mund të votonte apo kandidonte për shkak se është dënuar më parë nga ligji, por Maryland miratoi vitin e kaluar një ligj që i lejon ish të dënuarit të marrin pjesë në zgjedhje.