Sovranë pa përvojë, mbretër dhe shkrimtarë gojacë, liderë të ardhshëm që nuk arrijnë të flasin në publik… Historia është e mbushur me personazhe që vuanin nga ndrojtja. Edhe ish-kryeministrit britanik Winston Churchill i është dashur shumë të punojë me ndrojtjen e tij. Ai ishte i ndrojtur, i ngathët dhe belbëzues; në shkollë vihej në lojë nga shokët dhe nuk kuptohej nga mësuesit. Por edhe mbreti Xhorxh VI jo vetëm që ishte i turpshëm, por ishte përndjekur gjithë jetën nga një e metë në të folur dhe problemi më i madh ishin fjalimet në publik. Historia e tij u bë e famshme nga filmi “Fjalimi i Mbretit”
“Ndërsa të tjerët shprehnin mendimet e tyre gjatë mbledhjeve të ndryshme, unë rrija vetëm në heshtje. Edhe kur shkoja për të vizituar ndonjë vend, prania e gjashtë apo më shumë personave nuk më nxiste të thosha asnjë fjalë. Një herë kisha shkruar fjalimin tim. U ngrita për ta lexuar, por nuk munda. M’u vesh pamja dhe fillova të dridhesha”. Ky djalosh i ndrojtur që tregon për periudhën kur studionte në Londër, e që vite më pas do të drejtonte vendin e tij, Indinë, drejt pavarësisë ishte pikërisht Mohandas Karamchand Gandhi.
Dhimbje e përbashkët…
Nuk ka dyshim që shumë persona mund të jenë ndierë si Gandhi: të gjithë njerëzit janë paksa të ndrojtur, kështu që nuk duhet të habitemi kur dëgjojmë se të tillë kanë qenë edhe shumë personazhe historike. “Ajo gjendje e jona shpirtërore që trupi e shfaq me skuqje, të dridhura dhe zemër që rreh fort, e që ne zakonisht e quajmë ndrojtje, ka bërë viktima të shquar”, pohon një psikoterapeut.
Të gjithë kanë qenë të ndrojtur nga liderët politikë te mbretërit, nga filozofët tek artistët.
Ka pasur edhe nga ata që i kanë qëndruar përjetësisht besnikë vetmisë, të tjerë akoma që i kaluan bllokimet dhe kanë mbetur në histori si drejtues të turmës. “Duhen identifikuar dy kategori ndrojtjeje”, shpjegon eksperti. “E para është ndrojtja që na bën të skuqemi ose të belbëzojmë, por pa na shkatërruar jetën, duke u transformuar në ‘fobi shoqërore’, fenomen që në rastet më të këqija na detyron të mbyllemi në shtëpi duke mos frekuentuar më miq ose kolegë. Pastaj vjen introversioni që lidhet me personat, të cilët thjesht ndihen më mirë me veten sesa me të tjerët dhe jetojnë në një botë të tyren të brendshme ideale”.
Llojit të parë i përkiste Luigjit XIII të Francës, madje ishte aq i ngathët saqë nuk bëri asgjë natën e parë të martesës me Anën e Austrisë. “Kjo ndodh edhe për shkak të mungesës së eksperiencës, ndaj djaloshi u tregua i ngathët, ngathtësi e cila me kalimin e viteve filloi të ngjallte frikë te monarku ndaj seksit tjetër”, shpjegon psikoterapeuti.
I vënë në lojë
Të njëjtin problem, madje më keq, kishte pasur pasardhësi i tij. Luigji XVI me bashkëshorten Maria Antonietën. “Jo shumë simpatik nga pamja, i urtë, modest dhe i ndrojtur, Luigji nuk e deshi kurrë jetën e oborrit, pavarësisht se introversioni i tij nuk ishte shumë popullor”, shton ai. “Përveç kësaj, duke u martuar i ri me Maria Antonietën, pikërisht për shkak të modestisë dhe ndrojtjes nuk arriti ta konsumonte marrëdhënien për më shumë se shtatë vjet. Kjo gjë shkaktoi te të dy shumë ankth dhe shtoi anekdotat dhe pamfletet satirike, ku përqeshej impotenca e supozuar e mbretit”. Duket se e gjithë vëmendja e Luigjit ishte fokusuar te gjuetia dhe pasioni i tij i dytë i madh që ishin orët. Ai arriti t’i kalonte të gjitha problemet me këshillat e kunatit dhe kështu martesa u konsumua.
Si të ndrojtur kujtohen edhe drejtues që kanë bërë historinë.
I tillë është Presidenti Thomas Jefferson (1743-1826) dhe Abraham Lincoln (1809-1865).
I pari ishte autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë së Amerikës më 1776-n. Kujtohet për mospëlqimin e fjalimeve në publik. I dyti përshkruhet si një burrë i vetmuar, i prirur për kriza ankthi në periudha depresioni dhe luhatjeje të humorit, simptoma që lidheshin me vdekjen e së ëmës në moshë të re.
Shumë të ndrojtur kanë qenë edhe artistë, shkrimtarë e filozofë. Si i tillë kujtohet zvicerani Jean-Jacques Rousseau. “Jam vetë ndrojtja; gjithçka më trondit; frika dhe ndrojtja më turpërojnë deri në atë pikë saqë dua të zhdukem nga sytë e të gjithëve”.
Sa të rëndësishme qenë idetë e tij, për shembull gjatë revolucionit francez, aq e madhe ishte edhe ndrojtja që ndiente, saqë iu kthye në patologji. Kur u ftua në oborrin e Luigjit XV u rrëzua dhe filloi të shqetësohej shumë, sepse frikësohej se mos bënte figurë të keqe.
I vetmuar ishte edhe Ludwig van Beethoven. “Jetoj vetëm në muzikën time”, thoshte. Çdo verë mbyllej brenda në një nga pronat e tij, alternonte kompozime të ndryshme muzikore dhe shëtiste në parqe. Po ashtu i tillë ishte edhe dramaturgu irlandez George Bernard Shaw (1865-1950). Ai thoshte se kishte mësuar të fliste në publik duke u bërë ndoshta qesharak në syrin e të tjerëve, por vetëm kështu ia doli mbanë.
Më të frenuar
“Mesa duket ndrojtja ka pasur një përhapje më të madhe në shekullin XX, ndoshta për shkak të rritjes së mundësive relacionale, gjë që i frenoi edhe më shumë personat e ndrojtur”, shpjegon psikoterapeuti.
Mes introversëve të mëdhenj të shekullit XX ishe Presidenti amerikan Theodore Roosvelt, i cili në fëmijëri ishte parë si problematik dhe i turpshëm, për shkak të një edukimi tejet mbrojtës.
Një karakter të tillë zhvilloi edhe mbesa e tij Eleanor Roosevelt, bashkëshortja e Presidentit Franklin Delano Roosevelt. Për shkak të humbjes së prindërve në moshë të re, zonja e parë e ardhshme zhvilloi një prirje të turpshme dhe të ndjeshme, gjë që më vonë e nxiti të mbështeste çështjet e grupeve më të dobëta shoqërore.
Ky problem preku edhe Gandhin. Duke qenë shumë i ndrojtur në fëmijëri, pati probleme edhe në profesionin e tij si avokat. Kur provoi të mbronte një klient në gjyq, nuk arriti të pyeste dëshmitarët. Papritur iu morën mendtë dhe u ul në karrige pa u bërë asnjë pyetje atyre, aq sa çështja i kaloi një avokati tjetër. Gjatë qëndrimit të tij në Afrikën e Jugut, ku nisi të mbronte të drejtat e emigrantëve indianë, i kaloi edhe ndrojtja, të paktën pjesërisht. “Vështirësia që kam për t’u shprehur më ka mësuar t’i mat fjalët. Ndrojtja ime më ka shërbyer si mburojë dhe për t’u mbrojtur”, ka thënë Gandhi.
Mes të adhuruarve të tij ka qenë edhe fizikani i madh Albert Einstein, i cili nuk i kishte shumë qejf llafet, por thoshte: “Nuk e kam ndier kurrë nevojën t’u afrohem njerëzve dhe shoqërisë. Gjithmonë më ka pëlqyer vetmia dhe kjo ndjenjë nuk bën gjë tjetër veçse rritet dita-ditës”.
Edhe ish-kryeministrit britanik Winston Churchill i është dashur shumë të punojë me ndrojtjen e tij.
Ai ishte i ndrojtur, i ngathët dhe belbëzues; në shkollë vihej në lojë nga shokët dhe nuk kuptohej nga mësuesit, deri sa… “Në moshën 14-vjeçare tek unë lindi diçka e re: vendosa të bëja një trajnim dhe nisa provat para pasqyrës”, thoshte. Ai djalosh, pas shumë vitesh, do të mbante fjalime që do të hynin në histori, si ai që nxiste Britaninë e Madhe të luftonte në Luftën e Dytë Botërore, pavarësisht gjakut, dhimbjes, lotëve, djersës.
Mbreti Xhorxh VI jo vetëm që ishte i turpshëm, por ishte përndjekur gjithë jetën nga një e metë në të folur dhe problemi më i madh ishin fjalimet në publik.
Ashtu siç tregon edhe filmi i famshëm “Fjalimi i Mbretit” (fitues i 4 çmimeve Oskar), ai e superoi këtë problem me ndihmën logopedit Lionel Logue. Ky i fundit me disa metoda të pazakonta e ndihmoi mbretin Xhorxh VI që u kthye në një lider të kombit./ Focus/ American Eye/