Nga e “qëndrueshme” perspektiva e makroekonomike e vendit tonë vlerësohet në “pozitive” nga Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit “Moody’s”. Kjo ecuri pasqyron mundësinë e një skenari më të mirë fiskal sesa pritej. Mood’s vlerëson se Shqipëria ruajti stabilitetin makroekonomik edhe pas tre goditjeve të njëpasnjëshme të tërmetit, pandemisë dhe krizës energjetike të vitit 2022.
Nga ana tjetër agjencia ndërkombëtare parashikon që borxhi publik të zbresë në 56.3% në vitin 2024 nga 59.2% qe ishte në vitin 2023. Përtej këtij viti, Moody’s pret që raporti i borxhit ndaj PBB-së të qëndrojë në një trajektore të qëndrueshme rënëse, në sajë të suficiteve primare të pritshme dhe të një rritje të qëndrueshme të PBB-së.
Agjencia është e opinionit se flukset e qëndrueshme të investimeve të huaja direkte në turizëm dhe energji, përmirësimet në produktivitet, si dhe rritja e pjesëmarrjes në forcat e punës mbështesin një perspektivë pozitive ekonomike afatmesme. Agjencia parashikon një rritje reale të PBB-së në 3.5% në vitin 2024.
Sipas vlerësimeve të agjencisë sistemi bankar mbetet i fortë dhe me likuiditet të lartë. Agjencia është e mendimit se profili i kreditit të Shqipërisë do të përfitojë gjithashtu nga zbatimi gradual i reformave të mëtejshme që lidhen me procesin e anëtarësimit në BE. Ritmi i reformave ka të ngjarë të forcohet me përparimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE.
Integrimi i mëtejshëm ekonomik me BE-në, partnerin më të madh tregtar të Shqipërisë, ka të ngjarë të përmirësojë potencialin e rritjes së ekonomisë të saj në afatmesëm dhe eventualisht të ngushtojë më tej hendekun në nivelet e të ardhurave me vendet anëtare të BE-së.