Lamtumira e së bijës së shkrimtarit Dritëro Agolli
Ati im Dritëro,
Ke shkruar aq shumë poezi për vdekjen, duke dashur të sfidoje ankthin prej saj.
E mallkuara të mposhti; të mposhti fizikisht e përkohësisht.
Dritëroi po fle, dhe në ëndrrat e gjithkujt do shfaqet përherë si bardi Dritëro që kurrë vdekje nuk ka.
Ati im, nuk më ndodhesh pranë fizikisht, unë nuk të ledhatoj dot flokët e bardha e të bukura tanimë, unë nuk këmbej dot mendime dhe ide të mençura , por unë të lexoj, të ndjej,të kam të gjallë.
Më thoje dikur që “e di ti si thotë një i ditur? Sa më larg distancohesh nga ndërtesat e larta, aq më të larta duken”.
Dhe ti Ati im je si ai monument i lartë që përherë do na shëmbëllesh edhe më i lartë.
Nuk është e lehtë për mua, vajzën, që përballë dashurisë së pakufi e pa kushte për Atin, të pranojë ligjet e natyrës e faktin që jeta është proces.
“Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë,
Është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh. Ne ëndërronim një vdekje pak më të mirë.
Duke vdekur fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës, gjëmon zëri i poetit, në “Ëndërr e prerë”.
Ati im i shenjtë Dritëro lamtumirë!.