Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, ka zhvilluar këtë të enjte një takim informal me gazetarët, ku iu është përgjigjur interesimit për çështje të ndryshme hetimore.
Kështu ai ka bërë me dije se gjatë vitit, SPAK ka regjistruar 68 procedime penale dhe kjo shifër ka shënuar rritje gjatë këtij viti.
Dumani – edhe pse nuk dha shifra zyrtare për policët, të dalë te transkriptet e Encro Chat dhe Sky Ecc – tha se pothuajse në çdo material, ka emra të tyre të përfshirë.
Kreu i SPAK tha se hetimet kanë zbuluar se përdorimi i aplikacioneve “SkyECC” apo “EncroChat” është i përhapur gjerësisht në radhët e uniformave blu.
Por, sipas tij, uniformat blu nuk janë të vetmit që përdorin këto aplikacione, pasi hetimet kanë zbuluar edhe prokurorë që kanë llogari të tilla.
Megjithatë, sipas kreut të SPAK, përdorimi i këtyre aplikacioneve nuk përbën vepër penale, ndonëse vazhdimisht hetimet kanë nxjerrë në pah se uniformat blu përdorin këto aplikacione për të bashkëpunuar me krimin.
“Mbajtja e këtyre aplikacioneve nuk përbën vepër penale, jo çdo bisedë që kryhej aty përben shkelje, por nëse ka komunikime që i kompromentojnë atëherë është çështje tjetër që verifikohen e merren masa. Por në çdo hetim na dalin një ose më shumë polic, gjithashtu nuk kanë munguar edhe në radhët e prokurorëve, ju marr shembull rast që tashmë është publik Xhevahir Litës”, deklaroi Dumani.
“Të përdorësh Sky ECC dhe EcroChat nuk është shkelje e ligjit, por përmbajtja e komunikimeve”, shtoi ai, duke theksuar se kur këto të fundit gërshetohen me prova të tjera atëherë mund të përdoren nga prokuroria.
Ndërkaq ai u pyet edhe për kallëzimin e demokratit, Gazment Bardhi, sa i takon çështjes së Charles McGonigal, dhe lidhjes së tij me Shqipërinë.
Dumani konfirmoi regjistrimin e procedimit dhe la të kuptohet se po kryhen hetime, por nga ana tjetër nuk komentoi fazën se ku ndodhen dhe nëse ka komunikim apo bashkëpunim me autoritetet amerikane.
Kreu i SPAK është pyetur edhe për inceneratorin e Tiranës, ku tha “janë duke u hetuar të gjithë personat që kanë pasur vendimmarrje në këtë çështje”.
“Është në fazë hetimesh paraprake që vazhdojnë në drejtim të çdo faktori që mund të kenë kryer veprime penale, apo persona të tjerë që kanë pasur në duar vendimmarrje. Hetimet po bëhen në kuadër të të njëjtit procedim, jo me fraksion. (Pyetje nga gazetarët: edhe ndaj Veliajt?) Do sqarohet pozita e secilit, çdo veprim po verifikohet”.
Dumani iu përgjigj edhe interesimit për dosjen e sterilizimit, ku tha se ka shprehur qëndrimin e tij në raport me çështjen dhe rolin e ish-ministrit, Ilir Beqja.
“Prokurorët e çështjes në vijim kanë marrë pjesërisht në konsideratë qëndrimet e mia, por edhe të gjyqtarit. Kështu funksionon sistemi, ç’mund të them tjetër”.
Sa i përket ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj nëse është lokalizuar në cilin shtet ndodhet, Dumani tha se “ky është një informacion sekret sepse hetimet për Ahmetajn dhe persona të tjerë po vijojnë”.