Origjina e virusit SARS-CoV-2 mbetet ende e paqartë. Pavarësisht se një ekip i OBSH-së kreu hetime Vuhan, qytetin kinez ku u shfaq për herë të parë virusi, nuk ka ende një përgjigje përfundimtare për pyetjen: Nga erdhi virusi?
Raporti përfundimtar që ekipi hartoi pritet të hidhet poshtë. Një ekip nga Organizata Botërore e Shëndetësisë po planifikon ta eliminojë raportin e përkohshëm mbi misionin e fundit në epiqendrën e pandemisë në Kinë.
“Wall Street Journal” raporton se me anë të një letre të hapur, rreth njëzet shkencëtarë kërkojnë një hetim të ri ndërkombëtar.
Kjo bazohet në pretendimin e ekspertëve të ekipit të parë për qasje të pamjaftueshme për të hetuar burimet e mundshme të virusit, përfshirë një rrjedhje të mundshme laboratorike.
Thirrja e ekspertëve vjen ndërsa SHBA – e cila kohët e fundit ndryshoi vendimin për t’u larguar nga OBSH – po lobon për transparencë më të madhe në hetim, duke thënë se po pret të shqyrtojë me vëmendje raportin mbi misionin në Vuhan dhe duke i kërkuar Kinës të publikojë të gjitha të dhënat mbi virusin që nga shfaqja e rasteve të para në dhjetor 2019 dhe ato më të hershme.
Pekini, ndërkohë, po bën presion për misione të ngjashme të drejtuara nga OBSH në vende të tjera, duke përfshirë SHBA-të, për të hetuar nëse virusi mund të ketë origjinën jashtë Kinës dhe mund të ketë mbërritur në Vuhan përmes ushqimit të ngrirë.