Arsen Stojku dhe Myslim Rama janë dy autorët e arrestuar për vrasjen e Brahim dhe Astrit Bilalit në Shkodër.
Arsen Stojku 29 vjeç lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës është i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Myslim Rama 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, është i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Të dy të arrestuarit, bashkë me dy shokë të tyre, kanë organizuar vrasjen e vëllezërve Biliali në Shkodër.
Në kërkim është Ibrahim Lici, i dyshuari kryesor për vrasjen e Brahim dhe Astrit Bilalit.
Ibrahim Lici është djali i Mustafa Licit, anëtarit demokrat të Këshillit Bashkiak në Shkodër, i cili prej vitesh është në konflikt me familjen “Bajri”.
“U bë shpallja në kërkim e shtetasit Ibrahim Licit, 26 vjeç, si i dyshuari kryesor për veprën penale të vrasjes”, tha Policia e Shkodrës.
Nga gjoba tregtarëve, te vrasja e Bilalajve: Kush është Ibrahim Lici
Ibrahim Lici, 26 vjeç, i dyshuari kryesor për vrasjen e dy vëllezërve Bilali në Shkodër, është një personazh i njohur për policinë.
Dy vite më parë, atëherë 24 vjeç, ai u arrestua gjatë një operacioni nga policia në kryeqendrën e veriut, si “truri” i një bande gjobëvënësish ndaj tregtarëve.
Nëntë persona përfunduan në pranga si pjesë e këtij grupi kriminal.
Ata i detyronin tregtarët që në fund të çdo muaji të paguanin shuma nga 1000 deri në 3000 lekë të reja.
Sipas hetimeve, dyshohet se në krye të këtij grupi të strukturuar kriminal, në rolin e organizatorëve qëndronin pikërisht Ibrahim dhe Muhamet Lici, të afërm me njëri-tjetrin si dhe Abedin Bajraktari.
Pasi qëndroi disa muaj në paraburgim, i riu u la i lirë nga Gjykata, pasi edhe vetë tregtarët, të cilët fillimisht i kallëzuan, kërkuan lirimin e tyre me pretendimin se banda i mbronte nga keqbërësit e tjerë.
Ibrahim Lici është djali i Mustafa Licit, anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës.
Këtij të fundit i ekzekutuan në një atentat në gusht të vitit 2018 të vëllanë, Fatbardh Licin, ngjarje kjo e ndodhur në qendër të Shkodrës, ndërsa më herët në janar, iu bë atentat me tritol Lul Kullës, kunatit të Fatbardh Licit, të cilit ai i mbijetoi.
Për policinë mbeten ende të paqarta motivet e ekzekutimit të Astrit dhe Ibrahim Bilalit te dera e shtëpisë në 30 mars të këtij viti, por të gjitha dyshimet të çojnë te ajo e vrasjes për hakmarrje, pas një zinxhiri ngjarjes kriminale që kanë tronditur Shkodrën muajt e fundit.
Licajt prej vitesh janë në konflikt me familjen “Bajri”. Ndërsa djali i Astrit Bilalit, Astmer Bilali, ndodhet në qeli, i arrestuar si pjesë e grupit kriminal “Bajri”.
Policia e Shkodrës njoftoi sot se ka zbardhur ngjarjen ku mbetën të vrarë dy vëllezërit. Në pranga kanë rënë Arsen Stojku 29 vjeç dhe Myslim Rama, 23 vjeç, si dhe ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë, mes të cilëve edhe Ibrahim Licin, i dyshuari kryesor për ngjarjen.