Bota Nga Gruevski te ish-shefi i spiunazhit në Shkup, kush janë personat e...

Nga Gruevski te ish-shefi i spiunazhit në Shkup, kush janë personat e tjerë të sanksionuar nga SHBA

Departamenti i Thesarit të SHBA ka vendosur sanksione sot dhe ka ndaluar hyrjen në SHBA për Aqif Rakipin dhe Ylli Ndroqin.

Në të njëjtin vendim i është ndaluar hyrja në SHBA edhe pesë personave të tjerë nga Ballkani Perëndimor, mes tyre edhe Nikolla Gruevski.

Në Maqedoninë e Veriut, Gruevski cilësohet si person që “mbetet i dyshuar në disa çështje korrupsioni, dhe është akuzuar për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe vepra të tjera penale të lidhura me kohën e tij si Kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016. Ai e ka shmangur vazhdimisht arrestimin e vet për dënimin e vitit 2018 nga një gjykatë në Maqedoninë e Veriut për akuza të lidhura me korrupsionin, gjë e cila paraqet një pengesë serioze për llogaridhënien për korrupsionin dhe aktivitetet e lidhura me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut. Gruevski është pronar dhe drejtues i kompanisë hungareze I.C.I.C. KFT, e cila është e regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në Pecel, Hungari.

Gruevski përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete. I.C.I.C. KFT përcaktohet në zbatim të E.O. 14033 sepse është në pronësi të apo e kontrolluar nga Gruevski”.

Gjithashtu, është sanksionuar edhe Sasho Mijalkov, ish-shefi i kundërzbulimit në Maqedoninë e Veriut. “Mijalkov dyshohet se ka qenë i përfshirë në një skemë të manipulimit të votave dhe një operacion të gjerë përgjimi të paligjshëm që shënjestroi 20,000 njerëz, përfshirë politikanë të opozitës, gjyqtarë dhe gazetarë, që siguroi përfitime politike dhe ekonomike dhe që nxiti një krizë politike dyvjeçare në vend duke zbuluar ndërhyrjen e pretenduar të qeverisë në gjyqësor, kontrollin mbi disa media dhe ndërhyrjen në zgjedhje. Në shkurt të vitit 2021, për shkak të rolit të tij si organizator kryesor i skemës së përgjimeve, ai u dënua nga një gjykatë në Maqedoninë e Veriut për bashkëpunim kriminal, shpërdorim detyre dhe marrjen e shpërblimeve për ndikim të paligjshëm. Më vonë, në prill 2021, një gjykatë në Maqedoninë e Veriut e dënoi Mijalkovin për shpërdorim pushteti në lidhje me një marrëveshje prokurimi për pajisje survejimi”.

Në Mal të Zi, është sanksionuar Svetozar Marovic, i cili ka qenë President i shtetit të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi nga viti 2003 deri në 2006 dhe shërbeu si ish-zëvendës president i Partisë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi (DPS) deri në vitin 2015. “Marovic u arrestua nga autoritetet malazeze në 2015 në bazë të dyshimeve për përfshirje në raste korrupsioni në shkallë të gjerë lidhur me projektet e ndërtimit në bashkinë e Budvës. Prokurorët malazezë e akuzuan Marovicin se përdori ndikimin e tij si zyrtar i lartë në DPS për të miratuar një sërë blerje pronash dhe ujdish ndërtimi, të cilat sollën përfitime të mëdha për disa kompani, por shkaktuan humbje të konsiderueshme për qeverinë vendore. Në vitin 2016, Marovic nënshkroi dy marrëveshje për pranimin e fajësisë, duke pranuar të gjitha akuzat kundër tij për korrupsion. Ai u dënua me disa vite burg dhe u urdhërua t’i kthente shtetit mbi 1 milion dollarë, por u arratis në Serbi përpara se të vuante dënimin”.

Në Bosnje-Hercegovinë, SHBA ka sanksionuar deputetin Asim Sarajlic dhe ish-kryeprokuroren e vendit, Gordana Tadiç.