Sport Nga i papunë në hero: Historia e pazakontë e portierit rezervë të...

Nga i papunë në hero: Historia e pazakontë e portierit rezervë të Liverpool

Për herë të fundit në fushë kishte zbritur më 26 janar të këtij viti, në sfidën mes West Hamit dhe Wimbledonit, të vlefshme për FA Cup, ndërsa që prej fundit të sezonit kishte mbetur pa skuadër, pasi ekipi londinez nuk preferoi t’i rinovojë bashkëpunimin që zgjaste prej verës së 2013-ës.

Megjithatë më 5 gusht, për portierin spanjoll Adrian, erdhi shansi i jetës, pasi Liverpooli i ofroi të bëhet zëvendësuesi i parë i portierit brazilian Alisson, ndërsa 32-vjeçari nuk u mendua dy herë për t’u bashkuar me kampionët e Europës.

Adrian nuk e kishte menduar kurrë që debutimi i tij me “The Reds” do të vinte aq shpejt, pasi vetëm 4 ditë më vonë, më 9 gusht, në ndeshjen hapëse të premier Leagues, braziliani Alisson u dëmtua dhe la fushën e lojës në minutën e 38’ të takimit.

Spanjolli zbriti menjëherë në vendin e tij, në kuadratin e portës, por bëhej fjalë për një ndeshje fati i të cilës ishte zgjidhur më herët, pasi rezultati ishte 3-0 dhe i gjithë takimi përfundoi në shifrat 4-1 për të besuarit e Klopp.

Megjithatë, testi i vërtetë për Adrian ishte mbrëmjen e së mërkurës në Stamboll, ku iu desh të mbrojë katërkëndëshin e Liverpoolit, në sfidën finale të Superkupës së Europës, përballë londinezëve të Chelseat.

Këtë detyrë 32-vjeçari e realizoi me sukses, pasi nxori dy herë topin nga rrjeta, por bëri një sërë pritjesh vendimtare, ku më e rëndësishmja ishte ajo e penalltisë së Abraham, që i dha Liverpoolit trofeun dhe justifikoi tërësisht besimin e “The Reds” ndaj tij.

“Jam i lumtur që luaj për Liverpool. Jam i lumtur për skuadrën dhe tifozët. Ishte një ndeshje e gjatë, por në fund përfundoi në mënyrë madhështore për ne dhe sonte mund të festojmë”, tha spanjolli në përfundim të ndeshjes.

Ky ishte trofeu i parë për portierin 32-vjeçar, karriera e të cilit mori një trajektore të menjëhershme 10 ditë më parë, ndërsa gëzimin dhe entuziazmin e spanjollit, e përshkruan më së miri trajneri Jurgen Klopp.

Është akoma duke bërtitur dhe festuar në dhomat e zhveshjes. Nuk besoj se ka fituar shumë në karrierë, por është në vendin e duhur për ta bërë këtë në vijim”, tha Klopp.