Nga viti 2015 e deri më sot nga Shqipëria janë dëbuar 80 shtetas të kombësive të ndryshme ndërsa iranianët kryesojnë këtë listë.
Krahas 45-vjeçarit Pooladrag në pranga ranë dhe dy persona të tjerë edhe këta iranianë, Savan Çelik dhe Taranom Mikzade, kjo e fundit u ndalua në Rinas pasi lëvizte më një pasaportë të falsifikuar norvegjeze, ndërsa mësohet se policia është vënë në ndjekje dhe të një personi të katërt.
Dy operacionet ndodhën në një hark kohor të shkurtër mes tyre, ndoshta një rastësi, por sa herë në vendin tonë ndalohen iranianë, strukturat ligjzbatuese dhe ato të antiterrorit janë në alert. Ndonëse janë ende në fazë hetimesh, 3 të ndaluarit dyshohet se kanë lidhje mes tyre ndërsa financoheshin nga një organizatë iraniane, qëllimet e së cilës mbeten ende të paqarta për strukturat ligjzbatuese.
Ky nuk është rasti i parë e nëse faktohet që spiunazhi iranian kërkon të marrë informacione mbi muxhahedinët. Në mesin e janarit të këtij viti, ministri i Jashtëm Gent Cakaj, shpalli “non grata” dhe dëboi nga Shqipëria dy diplomatë në Ambasadën e Republikës Islamike të Iranit në Tiranë. Njoftimi theksonte se dy diplomatët “kishin tentuar të kryenin aktivitete kundër komunitetit muxhahedin” në Manzë.
Në korrik të këtij viti, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj urdhëroi dëbimin nga Shqipëria të Dabiel Kassrae një iranian 29 vjeçar me në shtetësi italiane. Në urdhrin e dëbimit 29-vjeçari u shpall i padëshiruar dhe iu ndalua hyrja në Shqipëri për 15 vite. Ai kishte hyrë në vendin tonë në vitin 2016 dhe dyshohej se ka qenë i infiltruar dhe ka punuar për llogari të regjimit të Iranit.
Në tetor të vitit të kaluar Policia e Shtetit identifikoi anëtarët e një celule terroriste iraniane që planifikonte sulme terroriste në Shqipëri kundër MEK ndërsa në dhjetor të 2018 Shqipëria shpalli person të padëshiruar ambasadorin e Iranit në Tiranë dhe një diplomat tjetër, pasi kishte dyshime se ishin pjesëmarrës “në aktivitete që cenonin sigurinë në Shqipëri”.
Burimi: A2 CNN