Bota Nga jeta seksuale te politika: Edhe makinat po mbledhin të dhënat tona...

Nga jeta seksuale te politika: Edhe makinat po mbledhin të dhënat tona dhe po i shesin

Prodhuesit e makinave po mbledhin të dhëna për shoferët dhe pasagjerët. Fondacioni Mozilla në një raport për 25 marka makinash dhe 15 kompani prodhuese konkludon se të dhënat e mbledhura, që përfshijnë që nga gjendja shëndetësore, aktiviteti seksual dhe koeficienti i inteligjencës, për t’ua shitur ato agjencive të zbatimit të ligjit, por edhe të tjerëve.

Studiuesit zbuluan se prodhuesi japonez i makinave Nissan kishte pranuar se mund t’u shesë informacione për aktivitetin seksual të shoferëve dhe pasagjerëve, inteligjencën dhe diagnozën shëndetësore ndërmjetësve të të dhënave, agjencive të zbatimit të ligjit dhe kompanive të tjera. Prodhuesi gjerman Volkswagen tha se mund të regjistrojë zërat e shoferëve për t’i profilizuar ata për reklama të synuara.

“Sasia e të dhënave që këto kompani makinash thanë hapur se mund të mblidhnin ishte tronditëse,” tha Jen Caltrider, studiuese kryesore në Fondacionin Mozilla, i cili ka në pronësi kompaninë që drejton shfletuesin Firefox.

Është sikur askush nuk i ka sfiduar ndonjëherë ose nuk i ka bërë pyetje rreth privatësisë, dhe kështu ata thjesht përfshijnë gjithçka.

Evropianët – në parim – janë më të mbrojtur nga abuzimi falë ligjit të privatësisë, Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), por raporti sugjeron se ky ligj pak zbatohet në rastin e kompanive të makinave. Një analizë e zbatimit të këtij ligji në të gjithë Evropën tregoi se pak rregullatorë kombëtarë kishin ndërmarrë veprime kundër mbledhjes së të dhënave të kompanive të makinave që nga hyrja në fuqi e ligjit.

Caltrider dhe studiues të tjerë shikuan politikat e privatësisë së kompanive të makinave dhe shkarkuan aplikacionet e tyre në Gjermani, Francë, SHBA, Japoni dhe Korenë e Jugut. Ata zbuluan se industria e makinave grumbulloi sasi masive të dhënash përmes dhjetëra sensorëve dhe teknologjisë së ndërtuar në modelet më të reja të makinave që llogaritin peshën e njerëzve ndërsa ata ulen, filmuan makinën brenda dhe jashtë me kamera, dëgjuan bisedat përmes mikrofonave dhe gjurmuan përdoruesit përmes lidhjes në aplikacionet e smartfonëve.

“Nuk ka të bëjë më vetëm me shitjen e makinave për të fituar para. Ka të bëjë më mbledhjen e të dhënave dhe më pas përdorimin e këtyre të dhënave për të fituar para,” tha Caltrider, duke shtuar se makinat dukej se kishin praktika më të këqija të privatësisë sesa aplikacionet e shëndetit mendor, pajisjet inteligjente të shtëpisë dhe pajisjet që përdorim në palestër si kufjet dhe gjurmuesit e fitnesit.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se 84 për qind e markave të makinave të rishikuara mund të ndajnë dhe shesin të dhëna me kompani të tjera si ndërmjetësit e të dhënave, një treg i vlerësuar në qindra miliarda euro sipas disa vlerësimeve. Pak më shumë se gjysma e markave thanë se mund të ndajnë të dhëna me qeverinë dhe organet e zbatimit të ligjit kur kërkohet, në vend që të marrin një urdhër gjykate.

Raporti thekson se përdoruesit rrallë e kanë pasur mundësinë të pranojnë në mënyrë të qartë dhe të vetëdijshme rregullat e privatësisë së makinave të tyre.