Anëtarët e koalicionit të ri në Gjermani kanë vuajtur për të gjetur konsensus në çdo gjë, nga taksat, pensionet e ndryshimet klimatike. Por një gjë i bashkon të gjithë: dëshira për të qenë qeveria më progresive në më shumë se një gjeneratë.
Marrëveshja e koalicionit që ata prezantuan të mërkurën e shkuar, përfshin politika të shumta që mund të kenë impakt pozitiv tek emigrantët, prindërit e të njëjtit seks, transseksualët dhe minoritetet e tjera.
Marrëveshja e koalicionit përmban një sërë propozimesh që kënaq liberalët dhe progresistët. Kanabisi do të legalizohet, mosha për të votuar u ul në 16 dhe u hoq survejimi i qyteteve me kamera. Qeveria e re ka premtuar të krijojë një regjim më mikpritës për emigrantët. Do të jetë më e lehtë për ta të marrin lejeqëndrimi dhe shtetësinë gjermane. “Fakti që më në fund po bëhemi një vend pro emigrimit, ka thyer barriera”,- tha Jessica Rosenthal, kreu i të rinjve në SPD. “Plani është mbështetur dhe nga bizneset. Me popullsinë tonë që po plaket, Gjermanisë i duhen rreth 400.000 emigrantë në vit dhe qeveria e ka kuptuar këtë”.
Marrëveshja midis socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberalëve i lejon Olaf Scholz-it, ministrit të Financave të pasojë Angela Merkel, që po tërhiqet nga politika pas 16 vites si kancelare në ekonominë më të madhe të Europës.
Partitë në koalcionin “me ngjyrat e semaforit”, të drejtuar nga Scholz, nuk janë aleatë natyralë.
Të gjelbrit, Greens, dhe SPD bënë fushatë nën premtimin e rritjes së taksave për ata që fitojnë më shumë dhe në reduktimin e ndryshimeve klimatike, ndërkohë që liberalët, FDP, janë “skifterë” të strukturave fiskale, të lidhur me tregun e lirë dhe kundër rritjes së taksave.
Gjithsesi, edhe pse me shumë kundërshtime në dimensionin ekonomik, të trija palët bien dakord në politikat sociale.
Politikat e propozuara do të ndikojnë gjerësisht shumë faktorë. Përshembull, votuesit pro abortit janë të lumtur me heqjen e nenit 219a në Kodin Penal Gjerman që ndalon shërbimin e abortit nga doktorët.
Partnerët e koalicionit premtuan dhe një ligj që ndihmon çiftet lezbike me fëmijë, ku të dyja gratë do të njihen si mamatë e ligjshme të një fëmije. Një sukses historik, cilësuar nga komuniteti.
Qeveria e re do të heqë dhe ligjin kundër transseksualëve duke e zëvendësuar me “ligjin e vetëpërcaktimit”, duke e bërë më të lehtë ndryshimin e seksit nga qytetarët. Burrat gay dhe transseksualë mund edhe të dhurojnë gjak tashmë.
Për emigrantët, koalicioni dëshiron që t’ua bëjë atyre më të lehtë bashkimin me familjarët në botën e tretë. Azilantët do të kenë mundësi më të mëdha për punë. Emigrantët që nuk kanë asnjë njollë ligjore dhe kanë 5 vite që jetojnë atje do të marrin lejeqëndrimin për 1 vit.
Disa nga propozimet janë kritikuar, si p.sh legalizimi i kanabisit nga forcat policore. Votuesit pro jetës dhe kundër abortit janë kundër legjitimimit të tij. Konservatorët kanë frikë se politikat e reja do t’i ulin vlerën konceptit të familjes tradicionale.
Por, në dorë e ka mazhoranca politike dhe pjesa tjetër duhet të jetojë në të.