Nesër është 8 marsi. Në histori 8 marsi ka hyrë si Dita e dhunës ndaj gruas, ku gjithnjë gratë në mbarë botën organizojnë manifestime proteste për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Por ndryshe nga e gjithë bota, në Shqipëri kjo ditë është festë e grave. Pavarësisht se këtë festë shqiptarët e kanë mbeturinë nga sistemi komunist, gjithsesi ajo duhet respektuar, ndaj dhe si e tillë, ajo ka si gjithnjë agjendën e vet.
Qysh sot, pra një ditë më parë, gratë, të cilat mezi e kanë pritur këtë ditë të shënuar për to, do të rendin drejt salloneve të bukurisë për t’u krehur e lyer, për të bërë manikyr e pedikyr, me qëllim që dita e festës së tyre t’i gjejë të bukura e të hijshme. Ndërkohë, në darkë vonë, si të rrotullohen nja dy orë duke bërë prova përpara pasqyrës, më se fundi do të vendosin veshjen që do të mbajnë për ditën e festës. Dhe kështu me celular në dorë do t’i zërë gjumi duke biseduar me shoqet duke rrëfyer për kohën se çfarë bënë gjatë pasdites dhe darkës si edhe planet për të nesërmen.
Ndërkohë, sapo të zgjohen nga gjumi, do të vrapojnë në ritualin e përditshëm të punëve të tyre, deri aty nga mesdita, kohë kur tufa-tufa do të mblidhen me shoqet për të drekuar nëpër restorante, për të kaluar orë të bukura e gazmore pa harruar të germëzojnë thashetheme pa fund. Gjithsekush do të veshi fustanin më të bukur, do të eglendisë veshët, qafën e duart me bizhuteri nga më të shtrenjtat. Ndoshta si asnjë ditë gjatë vitit do të shpërthejnë dekoltetë, parfumet e shtrenjta, këpucët me takat e larta dhe çantat me çmime super të shtrenjta për portofolet e shqiptarëve. Shumë prej tyre do t’i fusin thellë telefonat celularë, për të mos iu përgjigjur gjinisë mashkullore, me të cilët rëndom takohen në shtëpi. Në fund të fundit, edhe kjo shenjë e lirisë është. Si të hanë, të pinë, të kërcejnë e të dëfrehen, pa harruar bisedat gazmore plot kripë e sherbet, do të ecin rrugëve ngadhënjimtare dhe të rraskapitura, duke ndjerë edhe fundin e festës së tyre të lirisë. Ndoshta nuk do të kenë fuqi që të gatuajnë për ditën e nesërme, dhe për këtë janë të bindura se familjarët e tyre do t’i mirëkuptojnë.
Ndërkohë, siç është zakon vitet e fundit, një pjesë e grave metropolitane do t’i vazhdojnë festimet e ditës së tyre të lirisë në ambientet e ndonjë pub-i apo klubi nate, ku për kënaqësinë e tyre do të perfojë ndonjë striptist bullgar, spanjoll, apo edhe ndonjë zezak prej Afrikës së largët.
Të them të drejtën, këto lloj festash gjinore, më ngjajnë shumë të egra e të dhunshme. Njëjtë si festat e dikurshme populiste që bëheshin dikur, si organizata masash apo shoqata lokaliste. Kjo më kujton shprehjen e Bertold Brehtit tek “Aruro Ui”: “ranimi me gjysëm zëri, më nakatos zorrët e barkut!” Përfytyroni dot sikur të kishte edhe një ditë që të konsiderohej festa e burrave?!… Tufa burrash që shpërthenin nëpër rrugë, mbushnin lokalet e sillshin shpengueshëm… Një tmerr pa fund. Shprehja që thonë shpesh gratë se: “Ne kemi vetëm një ditë, ndërsa burrat kanë gjithë vitin!”, tregon se çfarë shoqërie sociale jemi dhe se sa larg kulturës dhe barazisë jetojmë. E pra, ditë të tilla na vërtetojnë po ashtu se sa vite-dritë jemi larg shoqërive moderne e bashkëkohore.
Nejse!…
Nesër është 8 marsi. Dita e “shpalosjes së lirisë” së gruas shqiptare.