Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është plagosur në një tentativë për vrasje në Butler County, Pennsylvania.
Por Trump ishte vetëm rasti i fundit, pasi që nga themelimi i SHBA-së, katër presidentë dhe një kandidat për president janë vrarë.
Këto janë disa raste kur presidentët e SHBA-së dhe kandidatët kryesorë për president u vunë në shënjestër të tentativave për vrasje.
1865, Abraham Lincoln (presidenti i 16-të) – U vra duke parë një teatër në Uashington. Ai u qëllua nga John Wilkes Booth dhe iu dha trajtim mjekësor, por vdiq të nesërmen në mëngjes. Booth u gjet i fshehur në një hambar në Virxhinia, 12 ditë më vonë, ku u qëllua për vdekje.
1881, James Garfield (presidenti i 20-të) – U qëllua duke ecur në një stacion treni në Uashington, gjashtë muaj pas marrjes së detyrës. Ai vdiq nga plagët e marra disa javë më vonë. Charles Guiteau, vrasësi i tij, u shpall fajtor dhe u ekzekutua një vit më vonë.
1901, William McKinley (presidenti i 25-të) – U qëllua në distancë, pasi mbajti një fjalim në Nju-Jork. McKinley pritej të shërohej, por plagët e plumbave iu infektuan dhe ai vdiq tetë ditë më vonë. Agresori 28-vjeçar nga Detroiti, Leon F Czolgosz, pranoi se ishte autori i të shtënave. Ai u ekzekutua disa javë pas atentatit.
1912, Theodore Roosevelt (kandidat) – Roosevelt po kandidonte për Shtëpinë e Bardhë si ish-president kur u qëllua në Milwaukee. Ai i mbijetoi të shtënave, por plumbi i mbeti në gjoks.
1933, Franklin Roosevelt (presidenti i 32-të) – Ishte objektivi i një atentati në Miami nga një emigrant italian, Giuseppe Zangara. Roosevelt mbeti i padëmtuar, por Anton Cermak, kryebashkiaku i Çikagos, u vra në sulm.
1963, John F Kennedy (presidenti i 35-të) – Kennedy u qëllua për vdekje teksa po lëvizte me autokolonën e tij në Dallas. Ai u qëllua nga distanca dhe ndërroi jetë në spital disa orë më vonë. Policia arrestoi Lee Harvey Oswald. Dy ditë pas arrestimit, ndërsa Oswald po dërgohej në burg, u qëllua për vdekje nga Jack Ruby, një pronar klubi nate në Dallas.
1968, Robert F Kennedy (kandidat) – Vëllai më i vogël i John F Kennedy po bënte fushatë për nominimin e Demokratëve dhe sapo kishte fituar zgjedhjet paraprake në Kaliforni të vitit 1968. Menjëherë pasi mbajti fjalimin e fitores, u qëllua për vdekje nga Sirhan Sirhan. Vrasësi u arrestua dhe u dënua me vdekje. Kjo u shndërrua në burgim të përjetshëm dhe kërkesa e tij për lirim, në vitin 2023, u refuzua.
1972, George Wallace (kandidat) – Wallace po kërkonte nominimin presidencial demokrat kur u qëllua gjatë një ndalese fushate në Maryland. Ai u qëllua katër herë dhe një nga plumbat iu fut në shtyllën kurrizore. Kjo e la atë të paralizuar për pjesën tjetër të jetës. Njeriu që e qëlloi ishte Arthur Bremer. Ai u dënua me burg dhe u lirua në vitin 2007.
1975, Gerald Ford (presidenti i 38-të) – I shpëtoi dy tentativave për vrasje brenda 17 ditëve, të dyja në Kaliforni, në Sacramento dhe San Francisko dhe të dyja të kryera nga gra: Lynette Fromme dhe Sarah Jane Moore. Ata morën dënime të përjetshme.
1981, Ronald Reagan (presidenti i 40-të) – Reagan sapo kishte përfunduar një fjalim në Uashington kur u qëllua nga John Hinckley Jr. Plumbi shpoi mushkërinë e majtë të Reganit, por i mbijetoi tentativës. Hinkli u arrestua dhe u shpall i pafajshëm për shkak të çrregullimeve njerëzore, por u mbyll në një spital psikiatrik.
1994, Bill Clinton (presidenti i 42-të) – Clinton ishte brenda Shtëpisë së Bardhë kur Francisco Martin Duran qëlloi në ndërtesë duke përdorur një pushkë gjysmë automatike. Duran u dënua me 40 vjet burg.
2005, George W Bush (presidenti i 43-të) – Bush po merrte pjesë në një tubim në Tbilisi me Presidentin Gjeorgjian, Mikhail Saakashvili, kur një burrë i quajtur Vladimir Arutyunian hodhi një granatë dore drejt podiumit. Nuk shpërtheu dhe askush nuk u lëndua. Arutyunian u dënua me burgim të përjetshëm.