Nga Lutfi Dervishi
Nëse një student i juridikut, aktiv gjatë Lëvizjes së Dhjetorit 1990, bie në gjumë letargjik në 1994-n dhe zgjohet pas 25 vjetësh – më 2019-n – gjëja e parë që kërkon të dijë është rezultati i referendumit për kushtetutën e vitit 1994.
Një pedagog i tij, tashmë në pension, e sqaron se Shqipëria ka votuar një kushtetutë tjetër, me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë, në vitin 1998. Kushtetuta e votuar nga parlamenti dhe e konfirmuar nga populli në referendum është tjetërsuar aq shumë, sa nuk ka noter që e njëson me origjinalin.
Më 2008-n u ndryshua sistemi zgjedhor. Ndryshimi i sistemit nxori zbuluar fuqinë e kryetarëve të partive, tregoi se demokracia duhet të pushtojë partitë, ndryshe nuk e pushton dot vendin.
Më 2016-n, kushtetuta ndryshoi pothuajse rrënjësisht për shkak të drejtësisë së re.
Studenti i juridikut mëson se “gjyqtarët e plepave”, aq shumë të shpotitur, u përkasin teksteve të historisë. Drejtësia e re që po del nga vettingu pritet të jetë profesionale, e pakapur nga qeveria, dhe do të vërë para përgjegjësisë çdo abuzues. Dita kur të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit do të vijë. 30 vite kanë kaluar, por e rëndësishme është që ndërkombëtarët janë optimistë dhe populli i duruar.
Studenti i juridikut çuditet kur sheh se nuk ka më protesta në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Adeti i ri është të protestohet para zyrës së kryeministrit. Kryeqyteti është katërfishuar me banorë dhe po i afrohet njëmilionëshit, por për të mbushur bulevardin thërriten shqiptarë pa dallim feje, krahine dhe ideje (përjashto mbështetësit e qeverisë) për t’i treguar vetes dhe botës – sidomos botës – se populli është me ne.
Studenti habitet kur mëson se populli po ikën! Nga 3.5 milionë banorë më 1994-n, pas 25 vjetësh janë 2.5 milionë banorë.
2.5 milionë banorë, por në regjistra janë 3.5 milionë votues. Numri i popullsisë është ulur, por partitë politike, nga 5, janë bërë 65!
Studenti kujtohet për parullën: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ndaj tronditet kur i thonë se Serbia (që nga 1994-a deri në 1999-n ishte shkaku i katër luftërave), sot ka hapur bisedimet me BE-në. Nuk beson se Mali i Zi, vend i krijuar në 2006-n, diskuton kapitujt e anëtarësimit me Brukselin. Shqipëria, si pasagjerët që janë të vonuar për avionin, është ende në listë pritjeje.
Shqiptarët, aq entuziastë me politikën dhe partitë politike, sot janë mërzitur. Dy forcat kryesore politike ende nuk janë në një mendje për datën e çlirimit të vendit. Nëse u beson sondazheve, mbi 50% nuk besojnë më te politika dhe sistemi aktual. Nëse njerëzit nuk besojnë në sistem, pyetja është: Duhet ndryshuar sistemi, apo populli?
Një dilemë që një student i dhjetorit as që e ka çuar dikur në mendje.
Opozita jashtë sistemit!
Opozita ka “djegur mandatet” dhe ka dalë nga sistemi. Opozita parlamentare është bashkuar me opozitën joparlamentare dhe janë bërë një! Për fat të keq, jashtë parlamentit. Ndërkombëtarët janë në një mendje: precedent i rrezikshëm. Precedent që nuk ka ndodhur as me opozitën e Millosheviçit, as me opozitën e Malit të Zi, që është në opozitë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore.
Opozita ka një kërkesë: të shkojë në zgjedhje pa kryeministrin. Zgjedhjet parlamentare janë në vitin 2021.
Kriza duket pa zgjidhje. Beteja e ditës është të tregojë se kush ka pas vetes më shumë popull (ai që ka mbetur këtu).
Demokracia bashkë me liderët po kalon krizën e “moshës së mesme” (në vend të sjelljes së një të pjekuri zgjedh sjelljen e adoleshentit).
Ndërkombëtarët duken po aq të lodhur sa edhe populli. Për çdo zgjidhje që ofrojnë, elita politike u paraqet një problem. Faik Konica, një shekull më parë, shkruante: “Shqiptarët u japin rëndësi groteske çikërrimave dhe injorojnë gjërat thelbësore”.
Zgjidhjet janë. Nuk ka nevojë të shpiket rrota. Opozita ka një kërkesë kryesore: zgjedhje pa kryeministrin. Kryeministri bashkë me ndërkombëtarët i druhen precedentit. Precedenti mund të shmanget dhe vendin e tij ta zërë standardi.
Një zgjidhje e ofron Greqia. Në djepin e demokracisë, para zgjedhjeve kryetari i Gjykatës së Lartë merr drejtimin e qeverisë dhe një ekip teknicienësh merr drejtimin e dikastereve qendrore. Zgjidhja për zgjedhjet parlamentare të 2021-shit mund të gjendet.
Çështja është që zgjidhja të kërkohet jo për dy muajt apo dy vitet e ardhshme, por për dy dekadat e ardhshme.
Zgjidhje që shqyrton me themel kapitullin 30-vjeçar të tranzicionit.
Për këtë zgjidhje nuk mjaftojnë dy javë, as dy muaj e ndoshta as dy vite.
Një zgjidhje që kur të zgjohet më 2039-n ai që “fle” sot të shohë se është ndërtuar një sistem zgjedhor ku njerëzit votojnë dhe zgjedhjet janë konkurruese; (jo vetëm në nivelin qendror, por edhe lokal) ku partitë politike i nënshtrohen ligjit si gjithë të tjerët, një sistem që jep shpresë se Shqipëria është një vend ku sundon ligji, ku drejtësia funksionon, ku media i shërben interesit publik dhe nuk është thjesht interesante për publikun, ku zyrtarët shërbejnë dhe ku zullumi nuk tolerohet.
Një zgjidhje që e bën Shqipërinë pritëse dhe jo përcjellëse të azilkërkuesve. Një zgjidhje që e bën vendin normal: vend ku ndërrohen elitat dhe jo populli; një vend ku azil kërkojnë oligarkët dhe jo populli. Një zgjidhje duke pasur në mendje jo karrigen e kryeministrit, por karrigen e vendit në BE.