Sport Nga Marselo te Diego Kosta, lista e lojtarëve që nuk kanë ende...

Nga Marselo te Diego Kosta, lista e lojtarëve që nuk kanë ende një skuadër

Merkatoja është mbyllur me disa goditje interesante, lamtumira të papritura dhe marrëveshje të pafinalizuara. Por ka edhe disa të tjerë që kanë mbetur ende pa një fanellë, pasi nuk kanë gjetur një destinacion. Tani janë të lirë, pa kontratë.

Për këtë grup lojtarësh është ende e hapur mundësia për një skuadër të re. Në listën e atyre me parametra zero janë edhe disa ‘top player’, që deri pak muaj më parë kërkoheshin nga të gjithë.

Marselo para të gjithëve. Braziliani ka mbyllur ‘historinë e dashurisë’ me Realin dhe tani, në moshën 34-vjeçare, kërkon një sfidë të re. Po kështu edhe Diego Kosta, një vit më i ri në moshë dhe që sapo ka mbyllur aventurën e shkurtër me Atletiko Mineiron.

Juan Mata është lënë i lirë nga Mançester Junajtid. Ka edhe lojtarë që janë në kulmin e karrierës, si mbrojtësit Denayer dhe Zagadou, apo portieri Loris Karius dhe sulmuesi Adem Ljajiç. Ros Barkley, Serge Aurier, Adama Traore dhe Uillian i shtohen kësaj liste të gjatë.

Janë edhe disa lojtarë të “braktisur’ nga Seria A, si Josip Iliçiç, Simone Zaza, Ghoulam, Malkuit dhe Çepiteli, që u bashkohen emrave më të njohur, si Peroti, Xhovinko, Poli, Palasio, Kuaresma, Sau dhe Rosi.

Dikush prej tyre do të gjejë skuadër javët e ardhshme. Deri më 1 tetor ka kohë, të tjerët mund të qëndrojnë në pritje për rastin e duhur në janar.