Për të kuptuar historinë e korrupsionit mes kompanisë CEZ dhe familjes së ish-kryeministrit Sali Berisha, të mjafton të deshifrosh historinë e sekserëve që lidhin këtë kompani me pushtetin e Berishës. Dy prej tyre, më të rëndësishmit, janë Nue Kalaj, njeriu që ka ardhur në Shqipëri me objektiv të qartë për t’i shitur OSSH, CEZ, qysh më 2006, dhe gjithçka është bërë siç ka dashur ai, si dhe Kastriot Ismailaj, i cili ka qenë një mekanizëm zhvatës i CEZ, pasi kishte privatizuar kompaninë, duke shpikur mekanizmin e mbledhjes së borxhit të keq të CEZ. Në të dy rastet, sekserët janë pjesë e miqësisë me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-Kryeministrit.
I pari, Nue Kalaj, ka qenë dhe fizikisht shumë i shoqëruar me djalin e ish-Kryeministrit, banonte në pallatin që është pronë e badigardit të gruas së Sali Berishës dhe familjes Berisha, dhe është e provuar se gjithçka në qeveri e arrinte përmes lidhjeve me Shkëlzenin, përfshi dhe takimet që linte mes Kryeministrit dhe drejtuesve të CEZ.
I dyti, Kastriot Ismailaj, ka udhëtuar disa here në Pragë me Shkëlzen Berishën dhe policia çeke konfirmon dhe adresën ku kanë qëndruar. Programi TIMS i lidh ata së bashku, në së paku 5 udhëtime drejt Vjenës e më pas drejt Pragës, dhe udhëtimet pasohen nga akte ligjore në Tiranë, që shkojnë në favor të kompanisë CEZ dhe humbjeve të shtetit shqiptar.
Në disa prej këtyre kontakteve në Pragë, ka qenë prezent dhe ish- ambasadori i Shqipërisë në Çeki, Qazim Tepshi, i cili vdiq papritur më pas dhe nuk mund të jetë sot dëshmitar i këtyre takimeve. Ai citohet vetëm në një deklaratë të një zyrtari të CEZ, kur prezanton Ismailaj si mik të Berishës dhe zëvendëskryeministrit Meta.
Është interesante se si Berisha, i cili ishte në dijeni të udhëtimeve të djalit të tij me Ismaliajn në Vjenë, dhe negociatave të tij, guxoi të sulmonte Ilir Metën dy vjet më parë, duke tentuar t’ia faturojë atij Kastriot Ismailajn. I vetmi shpjegim gjendet tek vdekja e ambasadorit Tepshi. Nëse Tepshi do të ishte gjallë, Berisha nuk do të ishte aq i sigurtë në sulmin ndaj Ilir Metës. I sigurt se nuk do të hetohej kurrë kjo çështje, se nuk do dilnin kurrë hyrje- daljet e djalit të tij, bashkë me Kastriot Ismailajn në linjën Tiranë-Vjenë- Prag dhe kthim, Berisha tentoi dy vjet më parë ta shkëpusë këtë çështje nga djali i tij.
Faktet e tanishme dëshmojnë se historia korruptive e CEZ ka dy gjymtyrë. E para, procesin e privatizimit skandaloz i cili u ka falur kompaninë çekëve, falë ndërhyrjeve të Nuel Kalaj si sekser i familjes, për të cilën ka tërhequr 7 milionë euro në cash para zgjedhjeve të 2009-s, dhe e dyta rrjepja e CEZ dhe krijimi i gropës së madhe financiare, përmes kompanive seksere që mblidhin borxhin e keq dhe që ishin të gjithë klientë të familjes Berisha.
Këto dy linja dhe këta dy sekserë të lidhur me djalin e Berishës, duhet të jenë i vetmi objekt hetimi për CEZ nga Prokuroria, pasi përmes tyre ka kaluar jo vetëm privatizimi korruptiv, por dhe plaçkitja e CEZ nga Berishët.
Fakti që amabsadori Tepshi nuk është gjallë të na dëshmojë mbi takimet në Pragë të Ismaliajt dhe Shkëlzen Berishës, nuk do të thotë se nuk ka gjurmë të tjera. Zakonisht Shkëlzenit kështu i ka ndodhur me gjithë sekserët. Në fillim thotë nuk i njoh, pastaj thotë nuk kam folur kurrë në telefon, pastaj del që kanë folur gjatë, që kanë udhëtuar bashkë dhe që pas çdo udhëtimi shteti shqiptar ka ndonjë VKM, që zbraz xhepat e vet, për të mbushur xhepat e sekserëve të tij.