Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë është zbardhur teksti i saj i plotë.
Në tekstin e saj vihet re se marrëveshja ka karakter ekonomik më së tepërmi. Palët kanë rënë dakord të zbatojnë marrëveshjen për autostradat Beograd-Prishtinë si edhe hekurudhën mes dy vendeve.
Një pikë e rëndësishme e kësaj marrëveshje është pjesëmarrja në mini-Shengenit Ballkanik ku më herët Kosova nuk kishte rënë dakord të ishte pjesë.
Pika e parafundit thekson se Kosova është pajtuar që për një vit të shtyjë kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Serbia për një vit të pezullojë fushatën dhe lobimin kundër njohjes së shtetit të Kosovës. Ndërsa, pika e fundit tregon se Kosova dhe Izraeli janë pajtuar që të njohin njëra-tjetrën. Dy vendet do konsiderojnë organizatën Hezbollah terroriste.
Serbia dhe Kosova bien dakord ta vazhdojnë normalizimin ekonomik sipas këtyre pikave:
–Të dy palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt 2020.
Dhe të dy palët do të angazhohen për të bërë një studim fizibiliteti për lidhjen e Beogradit dhe Prishtinës me infrastrukturë hekurudhore që do të çojë drejt një porti të thellë detar në Adriatik.
Kosova dhe Serbia do të punojnë me Korporatën Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe EXIM, për të realizuar memorandume që të ofrojnë:
Hekurudhën e Paqes
Lidhja hekurudhore Prishtinë-Merdarë
Lidhje hekurudhore Nish-Prishtinë
Financim për të mbështetur huatë që nevojiten për bizneset e mesme e të vogla
Projekte të tjera dypalëshe
Praninë me kohë të plotë të një dege të Korporatës Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar në Beograd, Serbi.
Të dy palët do të hapin dhe do të vënë në punë Pikën e Kalimit të Përbashkët në Merdarë.
–Të dy palët do t’i bashkohen mini-shengenit të njoftuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut më tetor të vitit 2019, si dhe të përdorin në mënyrë të plotë të gjitha përfitimet e saj.
–Të dy palët do të njohin diplomat dhe certifikatat personale të njëra-tjetrës.
–Të dy palët do të pranojnë të punojnë me Departamentin Amerikan të Energjisë dhe të tjera ente qeveritare amerikane për të kryer studime fezibiliteti në lidhje me ndarjen mes tyre të Liqenit të Ujmanit, si një burim i rëndësishëm për ujë dhe energji.
–Të dy palët do të diversifikojnë burimet e energjisë
–Të dy palët do të ndalojnë përdorimin e rrjetit 5G nga shitës që nuk janë të besuar. Nëse pajisjet janë të pranishme, të dy palët bien dakord që t’i heqin.
–Të dy palët do të shtojnë kontrollin e udhëtarëve, ndarjen e informacionit mes njëri-tjetrit dhe brenda kuadrit të një bashkëpunimi më të gjerë të SHBA-ve në Ballkan, si dhe të angazhohen që të përmirësojnë teknologjinë për të luftuar veprimtari të paligjshme, duke instaluar e duke vënë në punë sisteme amerikane për kontroll dhe informim, si PSICES, APIS, ATS-G dhe SRTP.
–Të dyja palët angazhohen të mbrojnë dhe promovojnë lirinë fetare, përfshirë komunikim të komunikim ndërfetar, mbrojtje të zonave fetare dhe zbatim të vendimeve gjyqësore që lidhen me Kishën Ortodokse dhe vazhdimësinë e kthimit të pronave hebreje të periudhës së holokaustit të mbetura pa trashëgimtarë dhe të pakërkuara.
–Të dyja palët angazhohen të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar personat e humbur.
–Të dyja palët angazhohen të identifikojnë dhe zbatojnë zgjidhje afatgjata, të qëndrueshme për refugjatët dhe të dëbuarit brenda për brenda.
–Të dy palët angazhohen të identifikojnë një pikë kontakti që do të çojë përpara përpjekjet brenda ministrive respektive të qeverive dhe të ketë koordinim midis Beogradit dhe Prishtinës, si dhe të ofrohet përditësim vjetor i shifrave për rastet e zgjidhura dhe ato që janë ende në pritje.
–Të dyja palët do të punojnë me 69 shtetet ku homoseksualiteti përbën krim që të nxisin dekriminalizim të tij.
–Të dyja palët angazhohen të emërojnë Hezbollahun si një organizatë terroriste dhe të marrin masa për të kufizuar veprimet e Hezbollah dhe aktivitetet e tyre financiare në juridiksionin e tyre.
–Kosova do të dakordësohet që të zbatojë një moratorium një vjeçar në kërkesat për anëtarësim në Organizatat ndërkombëtare. Serbia do të ndalojë për një vit fushatën e mosnjohjes ndaj Kosovës dhe do të tërhiqet nga kërkesat formale apo informale ndaj çdo shteti apo Organizate Ndërkombëtare që të mos njohë Kosovën si një shtet të pavarur. Të dy shtetet bien dakord që ta zbatojnë këtë pikë menjëherë.
–Kosova dhe Izraeli do të njohin anasjelltas njëri-tjetrin.